Maqedoni

Kushtetuesja e ka në dorë, nëse kompanitë do të mund t’i ikin tatimit të solidaritetit

Nëse Gjykata Kushtetuese nuk sjell vendim deri në afatin e caktuar, që është më 25 tetor, kompanitë nuk do t’i shpëtojnë tatimit të solidaritetit, thonë nga Oda Ekonomike.

“Nëse deri në terminin e caktuar gjykata nuk ka vendim, normalisht që do të duhet të respektohet ligjet dhe procedurat juridike që janë në fuqi”, theksoi Aneta Trajkovska – Oda Ekonomike.

Të paguarit e tatimit është një mënyrë e manifestimit të lojalitetit ndaj shtetit dhe pikërisht në këtë kontekst Oda Ekonomike i kërkoi Gjykatës Kushtetuese vendosjen e instrumentit të masës së përkohshme për taksën e solidaritetit, deri në marrjen e një vendimi përfundimtar, thekson Aneta Trajkovska nga Oda Ekonomike.

“Oda Ekonomike dhe të gjitha shoqatat e biznesit në lidhje me ligjin janë bashkuar pikërisht për shkak të së drejtës për një mbrojtje të caktuar të garantuar ligjore. Pra, në rastin e biznesit, ai ka nevojë për mbrojtje ligjore të garantuar në lidhje me veprimtarinë e tij. Kur flas për këtë do të thotë që këtë fitim që kanë bërë kompanitë e kanë bërë në vitin 2022. Atë fitim e kanë planifikuar në periudhën e mëparshme kur ka qenë në fuqi një rregullim i caktuar ligjor dhe posa është prishur procesi i planifikimit, është normale që kompanitë të bashkohen për të garantuar të drejtën e tyre”, pohoi Aneta Trajkovska – Oda Ekonomike.

Nga Gjykata Kushtetuese nuk japin shpresa që brenda këtij afati të futen në rend të ditës iniciativat për vërtetimin e kushtetutshmërisë së Ligjit për tatimin solidar.

“Në pyetjen nëse Gjykata Kushtetuese do të marrë një masë të përkohshme për ndalimin e zbatimit të ligjit, ju njoftojmë se sipas Rregullores së Punës në këtë fazë të procedurës, Gjykata Kushtetuese nuk vendos veçmas vetëm për masën e përkohshme, por kur shqyrton dhe vendos për propozimin kryesor në lidhje me objektin”, thonë nga Gjykata Kushtetuese.

Edhe kompanitë që nuk preken nga taksa e solidaritetit, mbështesin nismën para Gjykatës Kushtetuese. Njëjtë edhe nga OEMVP nuk e përkrahin tatimin e solidaritetit. Disa ditë më parë për TV21 thanë se penalizmi i kompanive siç e quajnë, do të dëmtojë edhe qytetarët, sepse kompanitë nuk do të mund të zhvillohen në bazë të planifikimeve të tyre, pra do të kthehen një ose dy vite prapa.

Sipas Ligjit për tatimin e solidaritetit, obligues për tatim janë kompanitë të cilat në vitin 2022 kanë realizuar të ardhura totale më të mëdha se 615.000.000 denarë. Qeveria tha se kjo taksë do të sjellë në buxhet një shumë prej rreth 4,7 miliardë denarë, që është 76,4 milionë euro. Norma e taksës së solidaritetit do të jetë 30 për qind, theksohet në ligj.