Maqedoni

Një lagje në Tetovë pa ujë të pijshëm, Komuna premton zgjidhje në vitin 2024

Një lagje në Tetovë e njohur si “Van Vardarska” me vite po ka problem me ujin e pijshëm. Qytetarët që banojnë në këtë zonë bëjnë apel që menjëherë të intervenohet dhe të riinstalohet rrjeti i ri i ujësjellësit pasi që i vjetri nuk ka kapacitet të mjaftueshëm për të furnizuar të gjitha familjet që jetojnë në këtë lagje.“Me ujin e pijshëm kemi problem më shumë verës se kur vinë mërgimtarët. Kur vijnë ata asnjëherë uji nuk hip më shumë se kati i parë, më lartë nuk shkon dhe secili kemi nga një hidrofor a uji vetë nuk shkon asnjëherë. Vetëm katin e parë që kullon të mbushet rezervuari, deri tash nuk kemi pas më tepër asnjëherë.”“Problemin e ujit e ka gjithë Tetova sa kam njohuri unë, ndërsa në këtë verë ka qenë gjendja e keqe nuk ka pas ujë fare, kemi mbushë ujë pika pika, disa që kishin puse i mbushnin ndërsa ne tjerët natën mbushnim rezervuarët pika pika për ta mbush atë mungesën ditore. Jo nuk ka shtypje dhe siç e shihni edhe vetë ujin ka 10 ditë që e kam lajmëruar dy herë. E dijë se linja është shumë e vjetruar ndërsa lagja shtohet shumë kur vinë mërgimtarët, vera është problem për ujë, mos me i pas rezervuarët vërtet vuajmë për ujë.”
Ndërkaq nga Komuna e Tetovës e pranojnë se rrjeti i vjetër është shumë i dobët dhe se ka nevojë për rrjet të ri të ujësjellësit. Sipas tyre, rritja enorme e ndërtimeve në atë zonë ka bërë që rrjeti aktual të mos mjaftojë për të furnizuar dhe për të plotësuar nevojën e banorëve. Memet Jonuzi nga Komuna e Tetovës thotë se është paraparë që në buxhetin e vitit 2024 të futet projekti i rrjetit të ujësjellësit për këtë zonë dhe të zgjidhet problemi i cili për një kohë të gjatë e tangon këtë lagje.“Pjesa Jashtë Vardarit është rritur për 1000% dhe sigurisht ai gyp i vendosur para 20 viteve nuk mjafton për atë kapacitet të atyre banorëve , ne tash e kemi në fazën e përpilimit të programit për vitin 2024 sigurisht do e kemi paparë të ndërhymë me shtimin e gypit që ti plotëson nevojat e asaj pjesë pasi që ka një shtim të madh në atë pjesë , pasi që kemi edhe prodhimtari edhe restorante që harxhohen për nevojat.”- deklaroi Memet Jonuzi – Komuna e Tetovës.
Për shkak të mungesës së ujit, thuajse të gjitha shtëpitë kanë vendosur hidroforë dhe rezervuarë për ujë. Por ata që nuk kanë hidroforë, thuajse nuk kanë ujë fare. Kjo gjë e ka rritur edhe koston e jetesës së tyre duke pasur parasysh energjinë elektrike që e harxhojnë pompat por edhe mirëmbajtjen e tyre.