LSDM dhe VMRO përplasen për ekonominë, pushteti dhe opozita me shifra të ndryshme
Politikat e suksesshme ekonomike të Qeverisë së udhëhequr nga LSDM-ja japin rezultate. Masat për uljen dhe ngrirjen e çmimeve të produkteve ushqimore bazë ndikuan drejtpërdrejt në mbrojtjen e standardit të popullit por edhe në uljen e inflacionit. Kështu ka theksuar në konferencën e sotme për media zëdhënësi i LSDM-së, Darko Kaevski. Ai shtoi se nafta dhe inflacioni u konfirmuan në nivelin më të ulët prej 6.6%.
DARKO KAEVSKI, ZËDHËNËS I LSDM-SË
“Edhe pse është një krizë globale, ekonomia e Maqedonisë është në rritje dhe kjo rritje do të vazhdojë. Konfirmim për masat e mira ekonomike kemi marrë nga një institucion financiar ndërkombëtar. Fondi Monetar Ndërkombëtar ka përmirësuar parashikimet e tij për ekonominë e Maqedonisë dhe parashikon një rritje prej 2.5% këtë vit dhe 3.2% për vitin 2024. Parashikimet e FMN-së janë se rritja e BPV-së në vend do të jetë më e lartë se ajo e Serbisë, Bullgarisë, Sllovenisë, si dhe 1.8 % më e lartë se mesatarja e BE-së”.
I menjëhershëm ishte reagimi I VMRO-DPMNE-së. Ata thonë se shifrat e FMN-së tregojnë se LSDM po e çon vendin në rrënim ekonomik me inflacion dyshifror dhe rritje të dobët ekonomike.
VMRO DPMNE
“Qytetarët vështirë se e shohin rilindjen ekonomike për të cilën po flet LSDM, kur në thelb jemi prapa Kosovës, Shqipërisë dhe Malit të Zi për sa i përket rritjes ekonomike. Të tre vendet nga mjedisi ynë kanë rritje ekonomike që është 50% më e lartë se e Maqedonisë”.
Nga VMRO thonë se paraqitjet e LSDM-së janë provokime dhe tallje me vetëdije me qytetarët, aq më tepër që deri në fund të vitit do të kemi mbi gjysmë milioni njerëz që jetojnë në varfëri.