Çifti nga Maqedonia, MPJ: Në listë prioritare për evakuim
Ministria e Punëve të Jashtme ka njoftuar se ambasadat tona në Kajro dhe Tel Aviv, janë në komunikim të vazhdueshëm me institucionet kompetente të Egjiptit dhe Izraelit, me qëllim evakuimin e dy shtetasve tanë, një çift bashkëshortor që ndodhet në Gaza, përkatësisht në qytetin Kan Junis, 12 kilometra nga vendkalimi kufitar Rafah. Çifti u dërgua në Spitalin e Gjysmëhënës së Kuqe dhe aktualisht ndodhet në gjendje të mirë dhe të sigurt. Sipas MPJ-së ata janë në listën zyrtare për evakuim dhe presim që të krijohen kushte për këtë proces, gjë që varet nga kushtet në terren, të cilat për momentin nuk mund të parashikohen. Ndërkohë sipas Ministrisë së Jashtme po punohet në identifikimin dhe mbledhjen e të dhënave për shtetas të tjerë të mundshëm që mund të jenë në Gaza.