Maqedoni

MPJ: Dy shtetasit tanë janë të sigurt, ndodhen në Spitalin e Gjysmëhënës së Kuqe

Dy ambasadat e Republikës së Maqedonisë së Veriut, në Kajro dhe Tel Aviv, janë në komunikim të vazhdueshëm me institucionet kompetente të Egjiptit dhe Izraelit, me qëllim evakuimin e dy shtetasve tanë, një çift bashkëshortor, me vendndodhje në Gaza, konkretisht në qytetin Kan Junes, 12 kilometra nga vendkalimi kufitar Rafah.

Siç informojnë sot nga MPJ-ja, çifti u dërgua në Spitalin e Gjysmëhënës së Kuqe dhe aktualisht ndodhet në gjendje të mirë dhe të sigurt.

“Me ndërmjetësimin e PDK-ve tona ata janë futur në listën zyrtare për evakuim dhe presim që të krijohen kushte për evakuimin e tyre, gjë që në masën më të madhe varet nga kushtet në terren, të cilat për momentin nuk mund të parashikohen. Mbetemi në komunikim të përditshëm me ta, deri në evakuimin e tyre”, kumtuan nga MPJ-ja.

Ndërkohë po punohet në identifikimin dhe mbledhjen e të dhënave për shtetas të tjerë të mundshëm që mund të gjenden në Gaza, për të cilat edhe një herë ju rikujtojmë kontaktet tona: numrat e telefonit SOS të Ministrisë së Punëve të Jashtme – 075/273- 732 dhe 075/268-736, telefoni kujdestar i Ambasadës në Tel Aviv +972-54-926-7378 dhe linja telefonike e Ambasadës në Kajro +201033615542.