Rajon - Botë

Shtohet frika për fatin e civilëve në Gaza

Shtohet frika për fatin e civilëve në Gaza

Ndërsa Izraeli është duke kryer përgatitje për një ofensivë tokësore në Rripin e Gazës, civilëve në Gaza është duke iu vështirësuar jetesa pa ushqim, ujë, ilaçe dhe mungesë sigurie.

Ndonëse mijëra persona e kanë dëgjuar urdhrin e Izraelit për t’u shpërngulur nga veriu për në jug të Gazës, mijëra të tjerë janë nëpër spitale.

Organizata Botërore e Shëndetësisë tha se evakuimet janë baras me “dënime me vdekje” për më shumë se 2.000 pacientë në spitale në pjesën veriore, përfshirë foshnjat e sapolindura që janë nëpër inkubatorë apo në kujdes intensiv. Ndërsa sipas OKB-së, gjeneratorët e spitaleve në Gazë kanë naftë vetëm edhe për pak ditë, dhe më pas do të rrezikohet jeta e mijëra pacientëve.

“Situata është katastrofike. Spitali është i mbushur me njerëz të plagosur, shumica e tyre janë fëmijë. Në 8 ditët e fundit kanë arritur qindra civilë të plagosur, disa prej të cilëve më rëndë. Për trajtimin e tyre duhen kushte të përshtatshme mjekësore. Problemi i këtij përshkallëzimi është se nuk kemi kurrfarë ndihme në ilaçe nga jashtë. Kufiri është i mbyllur, energjia elektrike është ndërprerë. Pra situata është shumë e rëndë. E vërteta është përtej imagjinatës. Rezervat e naftës na mbarojnë deri të hënën. Kjo do të thotë se sistemi nuk do të funksionojë më dhe nuk do të mund të ofrojmë ndihmën e nevojshme mjekësore, do të përballemi me rrezikun e një numri të madh të vdekjeve”, tha një mjek.
Kombet e Bashkuara kanë thënë se një eksod në Gazën 40-kilometërshe, nën rrethim të plotë, do të shkaktojë situatë të rëndë humanitare.

Ndërkohë sipas autoriteteve izraelite, mijëra palestinezë tashmë kanë shkuar në jug të Gazës, ndërsa kanë akuzuar Hamasin se po abuzon me popullin e vet duke e përdorur atë si mburojë.

Forcat izraelite mohojnë se po sulmojnë civilët, pas akuzave të Hamasit se 70 civilë u vranë në sulmin izraelit ndaj një kolone të evakuimit.

“Nuk pati asnjë sulm nga forcat izraelite në atë kolonë. Nuk ishte një aksion i forcave tona. Hamasi dëshiron që të fokusohemi te viktimat që ata vetë po i shkaktojnë”, tha Peter Lerner, zëdhënës I Forcave Izraelite.

Forcat izraelite, të mbështetura nga prezenca e anijeve luftarake amerikane në rajon, janë pozicionuar afër kufirit të Gazës dhe janë stërvitur për atë që Izraeli ka thënë se do të jetë fushatë e gjerë për ta shkatërruar grupin militant Hamas.

Ministria e Shëndetësisë në Gazë ka thënë se 2.329 palestinezë janë vrarë prej nisjes së luftimeve, më shumë sesa në luftën e Gazës më 2014, e cila ka zgjatur rreth gjashtë javë. Në anën tjetër, më shumë se 1.300 izraelitë janë vrarë nga sulmet e Hamasit më 7 tetor. Kjo shifër është më e larta për Izraelin prej konfliktit të vitit 1973, me Egjiptin dhe Sirinë.