Kosovë

Lajm i Fundit: Qeveria e Kosovës nuk do të paguajë më rrymën në veri

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka thënë se Qeveria e Kosovës nuk do të paguajë më rrymën në veri për katër komunat me shumicë serbe, duke thënë se operatori Elektroserveri duhet ta nënshkruajë marrëveshjen, në bazë të udhërrëfyesit që janë dakorduar pala kosovare dhe ajo serbe. Në një konferencë për media, Rizvanolli deklaroi se kur ka kaluar afati prej 100 ditëve vitin e kaluar, siç e ka përcaktuar udhërrëfyesi, më Qeveria nuk ka ndarë mjete. “Ne kemi thënë me atë rast se pagesat e fundit që do të bëhen nga buxheti i Kosovës, do të jenë ato deri në afatin e zbatimit të kësaj marrëveshje. Kemi pasur kërkesa të vazhdueshme nga KOSTT-i që nga ajo kohë, mirëpo nuk kemi ndarë mjete shtesë si qeveri. Ne e kemi bërë të qartë për të gjitha palët se një mënyrë e tillë e funksionimit nuk mund të vazhdojë” – tha Rizvanolli para gazetarëve.Sipas saj, edhe Qeveri edhe operatorët vendorë si KOSTT, KEDS apo ZRrE kanë kryer detyrat e veta, por sipas Rizvanollit, është pala tjetër që ka bërë zhagitje dhe sabotim. “Me kërkesën e ndërmjetësuesve ne kemi vazhduar të diskutojmë shqetësimet, të qartësojmë e të tjera. Mirëpo pa bërë kompromise shtesë apo ndryshim të kësaj marrëveshje. Dhe u kemi bërë të qartë se versioni i fundit i kontratës që i është dërguar tashmë Elektroserverit, disa muaj më parë, është versioni i fundit i marrëveshjes i cili duhet të nënshkruhet nga ata”. Ministrja Rizvanolli ka bërë të ditur se gjatë ditës së djeshme KEDS-i i ka dërguar kërkesën e fundit për nënshkrim Elektroserverit dhe në këtë rast pala kosovare pret që nënshkrimi i marrëveshjes të bëhet shumë shpejtë, brenda ditëve.
“Nëse jo atëherë sigurisht që duhet t’i shohim të gjitha opsionet e tjera të cilat janë për të adresuar këtë çështje” – tha ajo.Zbatimi i marrëveshjes për energjinë elektrike në veri të vendit ka kohë që ka ngecur. Kosova e akuzon palën serbe se janë duke mos zbatuar marrëveshjen e arritur. Kryeministri Albin Kurti në shkurt të këtij viti kishte thënë se pagesa e rrymës për katër komunat në veri, buxhetit të Kosovës që nga viti 1999 i ka kushtuar rreth 320 milionë euro. Ndërsa zëvendëskryeministri Besnik Bislimi kishte thënë se nuk ka konstruktivitet nga pala serbe për zbatim të marrëveshjes.