Kolumna

Suksesi i dy tre nxënësve në klasë nuk duhet të bëjë krenar z. Mësues

SHKRUAN: NEHAT JAHIU

Mësuesi është i përgatitur gjatë shkollimit të tij që nxënësit t`i përgatitë me njohuri dhe edukatën e duhur, sepse misioni i mësuesit nuk është rastsisht shumë i shenjtë dhe shumë përgjegjës! Në duart e tij janë qeniet e njoma të cilat ardhmërinë e tyre e kanë të varur nga mësuesi i tyre.

Figura e mësimdhënësit mund të jetë e mirë dhe e ndërgjegjshme kur detyrën e tij e kryen me seriozitet tek të gjithë nxënësit njësoj, pa e veçuar ndonjërin në klasë. Kontributi i tij duhet të jetë i njëjtë për të gjithë. Disa arsimtarë kohët e fundit duan të dallohen, duan të jenë në shënjestër për të mirë me veprimtarinë e tyre, jo ashtu siç duhet, por si hilqarë. Ata nuk punojnë njësoj në mësonjëtore me të gjithë nxënësit.

Ata (ato) më së shumti i japin rëndësi dhe angazhohen të punojnë me nxënësit që janë inteligjentë, ndërsa me nxënësit më të dobët punojnë shumë pak, për mos të thënë aspak. Pse e bëjnë një gjë të tillë? Sepse e kanë më të lehtë të punojnë dhe me ata krenohen si në shkollë dhe jashtë saj kur marrin pjesë në gara komunale, rajonale, republikane, mbarëkombëtare dhe ato ndërkombëtare. Shkolla dhe mësuesit konkurojnë me nxënësit e mirë, ndërsa këta të kategorisë së dobët i lënë mënjanë. Kjo sjell një dëm të madh, sepse arsimtari duke u përkushtuar të punojë më nxënësit e mirë shkel mbi nxënësit e dobët. Qëllimi i tij është të arrijë suksese me 3-4 nxënës, ndërsa një pjesë i mbeten mesatare, e një pjesë tjetër i mbeten nxënës të dobët që nuk mësojnë as alfabetin e gjuhës dhe tabelën e shumëzimit. Me një fjalë mbeten pa mësuar edhe gjërat më elementare.

Mësues të tillë krekosen se kanë arritur suksese me 3- 4 nxënës, ndërsa gjysma e klasës mbeten të dobët në mësime. Ky trajtim i dëmshëm dëmton çdo nxënës të quajtur “nxënës të dobët” që mund të ndikojnë deri në psikologjinë e tyre. Një ditë ai nxënës mund të thotë: Ja kështu jam unë! Por edhe unë kam të drejtë të jem nxënës i mirë me ndihmën e mësuesit. Atëherë mësuesit duhet të bashkëveprojnë me secilin nxënës pa mënjanuar ndjenjat dhe dëshirën e të gjithë nxënësve në përparimin e tyre mësimor..