Ekskluzive: Pas kthimit të Zaevit, LSDM prap do të kërkojë votat shqiptare?
Burime të cilat pretendojnë se janë të afërta me partinë e Kovaçevskit e kanë brifuar ekipin hulumtues të Agjencisë Zhurnal se janë dy shkaqe kryesore për uljen e sërishme të Zaevit dhe Kovaçevskit në një tavolinë.
“Shkaku i parë është se Mickovski dhe Zaev nuk kanë arritur të meren vesh deri në fund se si do t’i ndanin resoret në qeverinë që bënin plan ta formonin, kurse shkaku i dytë është presioni ndërkombëtar ndaj Zoran Zaev që të mos ndërmarë hapa që janë kundër miratimit të ndryshimeve kushtetuese. Bashkëpunimi me Mickovsin shihej nga ndërkombëtarët si një hap në drejtim të tillë”, kanë brifuar këto burime duke insistuar në anonimitet.
Këto informacione përputhen edhe me zhvillimet që pasuan. Pas ish kryeministrit Zaev, në politikbërejn aktive të kësaj partie u rikthye edhe ish zëvendës kryeministrja për eurointegrime, Radmilla Shekerinska, e cila kur u distancua nga postet partiake, ishte mjaft kritike ndaj LSDM-së.
Por cili është qëllimi i vërtetë i rikthimeve?
“Fillimisht për të treguar unitet brenda partiak dhe për të mobilizuar bazën e shkapërderdhur, sepse është fakt se LSDM tani gjatë kohë nuk qëndron mirë me rejting në anketat që zhvillohen nga agjenci dhe institute të ndryshme”, përgjigjen burimet e Agjencisë Zhurnal, duke shtuar:
“Shkak tjetër për rikhtimin e Zaevit dhe Shekerinskës është bashkimi i forcave në drejtim të sigurimit të 80 votave të nevojshme për ndryshimet kushtetuese. Për momentin mungojnë edhe 3 ose 4 deputetë, që do të thotë se 76 ose 77 janë siguruar. Mirëpo ka edhe një shkak tjetër, e ai është që LSDM sërish të përfitojë votat e elektoratit shqiptar, si në zgjedhjet e vitit 2016 kur shumë vlerësime tregonin se rreth 70 mijë votues shqiptarë votuan për partinë asokohet të Zaevit. Simbol i afrimit të LSDM-së me shqiptarët ishte pikërisht Zaev dhe Revolucioni Laraman. LSDM do të bëjë një tentim të ri për të zgjatur dorën tek votuesit shqiptar edhe pse këtë ‘teren’ një kohë relativisht të gjatë ia lëshoi partnerit të koalicionit BDI-së. Por nevoja për vota tani është aq e madhe sa që LSDM më tepër do mendojë për veten se për BDI-në, sepse edhe ashtu vitet e fundit akuzohet se është hyzmeqare e BDI-së”.