Rajon - Botë

Deputeti Shaip Kamberi reagon pas sulmit ndaj një familje shqiptare në Medvegjë

Deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi ka reaguar pasi një familje në Medvegjë u sulmua nga një grup i personave e të cilët në të njëjtën kohë kishin këndur edhe këngë nacionaliste, shkruan Periskopi.

Kamberi përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook ka dënuar një akt të tillë, duke kërkuar nga Bashkësia ndërkombëtare që të monitorojë situatën e sigurisë në Luginën e Preshevës.

“Ne kërkojmë që autoritetet e sigurisë të ndërhyjnë menjëherë për të ruajtur rendin dhe qetësinë dhe për të siguruar që qytetarët shqiptarë në Medvegjë të mos jenë të ekspozuar ndaj abuzimeve dhe tmerreve të tilla”, ka shkruar Kamberi ndër të tjera.

Postimi i tij i plotë:

Partia për Veprim Demokratik dënon kategorikisht aktet e dhunës dhe frikësimit të familjes së Ruhan Muharremit në Medvegjë.

Një grup i panjohur ka kryer akte vandalizmi duke hedhur gurë dhe mjete të rënda në drejtim të shtëpisë së tyre.

Ne kërkojmë që autoritetet e sigurisë të ndërhyjnë menjëherë për të ruajtur rendin dhe qetësinë dhe për të siguruar që qytetarët shqiptarë në Medvegjë të mos jenë të ekspozuar ndaj abuzimeve dhe tmerreve të tilla.

Gjithashtu, ftojmë Bashkësinë ndërkombëtare të ndjekë ngjarjet dhe të monitorojë situatën e sigurisë me kujdes, sidomos në Luginën e Preshevës.