Maqedoni

Gripi dhe Covid-19 mbushin ambulantat

Në ambulancat e Shkupit është rritur numri i pacientëve me simptoma të virozave. Sezoni i gripit ka stërmbushur ordinancat me pacientë që ankohen për ftohje, dhimbje koke, temperaturë të lartë e dhembje fyti.

“Simptomat pak a shumë tek të gjithë janë të njëjta, sidomos temperatura e lartë te disa janë më të larta e te disa të tjerë më të ulëta, te disa dhimbje fyti e dhimbje të muskujve…

“Do sugjeroja të iu shmangim shëtitjeve në grupe, sidomos me simptome. Fëmijët le të qëndrojnë në shtëpi për disa ditë dhe po të kenë mundësi prindërit ti dërgojnë për ajër të pastër. Të ju ofrojnë çaje e vitamine, nëse simptomat janë më serioze, atëherë me sirupe ose barna për uljen e temperaturës.” – Seladin Kuq, mjek.

Qytetarët e anketuar nga Alsat thonë se me grip sezonal për momentin më shumë raste ka te fëmijët e moshës shkollore.

“E kishte bashkëshortja (gripin) por mirë është, i kaloi. Me çaje, vitamina, disa barna, po mirë është tani.” – qytetar.

Nga Ministria e Shëndetësisë njoftojnë se vaksinimi kundër gripit sezonal do filloj nga mesi i muajit tetor. Gjithashtu bëjnë të ditur se këtë vit janë furnizuar për 50% më shumë vaksina.

Ditë më parë, u njoftua rritje e numrit të të infektuarve, ku gjithsej janë regjistruar 598 raste të reja me kovid 19, për 3 javët e para të shtatorit në Maqedoninë e Veriut. Autoritetet Shëndetësore thonë se nuk ka vend për panik, por pacientët duhet të jenë të kujdesshëm se infeksioni me COVID-19 është ende i pranishëm.