Kurti mirëpret forcat shtesë të NATO-s në Kosovë: Serbia po sjell armatim nga Rusia dhe Kina në kufi
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka mirëpritur vendimin e NATO-s për të rritur numrin e trupave të saj në Kosovë.
Sipas Kurtit, sulmi ndaj Policisë së Kosovës më 24 shtator ilustron përpjekjet e Serbisë për të destabilizuar Kosovën, me ndihmën e aleates së saj, Rusisë.
“Këta persona duan ta kthejnë kohën pas”, tha Kurti për Associated Press. “Ata janë në kërkim të një makine për kthimin e kohës. Ata duan ta kthejnë kohën për 30 vjet pas. Por, kjo nuk do të ndodhë”.
Në sulmin ndaj Policisë në Banjskë u vra rreshteri Afrim Bunjaku. Autoritetet thanë se gjatë përleshjeve, tre sulmues po ashtu u vranë.
Të premten, NATO, që ka misionin e saj paqeruajtës në Kosovë, KFOR, tha se do të shtojë forcat e saj në Kosovë.
“Ne na duhet NATO-ja sepse kufiri me Serbinë është shumë i gjatë dhe ushtria serbe së fundi po forcon kapacitetet e saj dhe ata kanë shumë pajisje ushtarake, si nga Federata Ruse ashtu edhe nga Kina”, tha Kurti.
Sipas autoriteteve të Kosovës, rreth 30 persona të armatosur sulmuan një patrullë policore afër Banjskës, teksa Policia po tentonte të largonte një barrikadë. Më pas, grupi u strehua në manastirin e Banjskës, prej ku vazhdoi përleshjen me Policinë.
“Këta persona që ishin të maskuar, ka shumë gjasa… që kanë kontakte dhe komunikim me Rusinë, me Kremlinin”, tha Kurti. “Personat që duan të bëhen si mercenarë të Wagner-it po tentonin të dëmtonin policinë tonë”, tha ai duke iu referuar grupit të mercenarëve rusë që kanë luftuar në Ukrainë.
“Kjo është shkelje edhe për praninë e NATO-s, pasi NATO kujdeset për sigurinë e shtetit tonë”, tha Kurti. “Historia e NATO-s dhe historia e Kosovës janë të ndërthurura”, shtoi ai.
Ende nuk është e qartë se sa trupa të reja do të dërgojë NATO-ja në Kosovë. Rreth 700 trupa u dislokuan nga Turqia në qershor, pasi dhjetëra pjesëtarë të KFOR-it u lënduan gjatë një përleshjeje me një grup protestuesish serbë në veri të Kosovës.
KFOR aktualisht ka rreth 4.500 trupa në Kosovë nga 27 shtete të NATO-s dhe shtetet partnere. Ky mision ka thënë më herët gjatë javës se po monitoron situatën e sigurisë dhe do të ndërhyjë nëse i kërkohet./REL