Kosovë

Berisha: Adem Jashar bëhesh nëse je shqiptar jo serb

Kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Sali Berisha, komentoi deklaratën ku kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kishte deklaruar se presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq në Bruksel kishte thënë se nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radoiçiq do të bëhej Adem Jashari i serbëve në veri të Kosovës.

Berisha lidhur me këtë tha se Adem Jashar bëhesh nëse je shqiptar jo serb.

“Më erdhi mirë që i është futur lepuri në bark Vuçiqit me Adem Jasharin, por Adem Jashar mund të bëhesh po të jesh shqiptar, serb nuk bëhesh Adem Jashar. Ai duhet të studiojë mirë historinë e heronjve dhe Adem Jashar ose Oso Kuka kanë shqiptarët, serbët i kanë heronjtë e tyre, por nuk i kanë si këta, i kanë ndryshe”, tha ai

Lidhur me sulmin terrorist ndaj Policisë së Kosovës nga grupi i armatosur serb, Berisha tha se policia e ka treguar vetën dhe ka dhënë përgjigje të mirë.

Berisha, tha se presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, që të hyjë me ushtri, ai do të hyjë në luftë me NATO-n, që sipas tij, këtë nuk mund ta bëjë.

“Ndërkombëtarët në unison ishin që Policia e Kosovës duhet të garantoj rendin dhe sigurinë në të gjithë territorin e Kosovës dhe se Policia e Kosovës është linja e parë, sigurisht që është KFOR-i, sigurisht që janë, por në radhë të parë – linja e parë, zërat më me autoritet ndërkombëtarë është Policia e Kosovës, e tregoi vetën, dha përgjigje shumë të mirë në Banjskë të Zveçanit, duhet të jetë e përgatitur të jap përgjigje, sepse ai që të hyjë me ushtri, ai do të hyjë në luftë me NATO-n dhe këtë nuk mund ta bëjë, sepse sa herë që ka shtruar ai këtë problem me shtabin e tij të përgjithshëm, gjeneralët serbë i kanë thënë që brenda kaq orësh avionët e NATO-s janë mbi objektet e përcaktuara në Serbi, prandaj shumë vështirë të çmendet në atë shkallë ose shumë vështirë që ushtarakët t’i përgjigjen një urdhri të tillë. Ai e dinë këtë, ka forma presionit”, tha Berisha në emisionin “Info Nata” në Tëvë1.

Ish-kryeministri i Shqipërisë, thotë se Vuçiq nuk do të heqë dorë nga veprime të tilla si ato të së dielës në Banjskë të Zveçnit, ku mbeti i vrarë rreshteri, Afrim Bunjaku.

“Siç bëhej me grupi që dikush thotë 30 e dikush 100, të sjellë oficerë të forcave speciale serbe dhe mercenarë, ai nga kjo nuk heq dorë, ai do të përpiqet të bëjë çmos, por natyrisht mendoj që Kosova ka dhe do të jap përgjigjet e merituara, nuk dyshoj që nuk do të ketë sukses”, deklaroi Berisha./teve1