Sveçla: Po hetohet përfshirja e Rusisë në sulmin terrorist në veri
Ministri i Brendshëm Xhelal Sveçla, ka thënë se autoritetet kosovare të sigurisë po e hetojnë përfshirjen e mundshme të Rusisë në sulmin terrorist, të datës 24 shtator në Banjskë të Zveçanit, ku mbeti i vdekur rreshteri policor Afrim Bunjaku.
“Armët ruse dhe pajisjet e dokumentet e tjera sugjerojnë për përfshirjen ruse në sulmin terrorist”, tha Sveçla në një intervistë për Associated Press përcjell Klankosova.tv
Sveçla theksoi se është e sigurt se sulmuesit erdhën nga Serbia.
“Disa prej tyre janë serbë të Kosovës, që kanë shtetësi të dyfishtë, të Kosovës dhe Serbisë. Sipas informacioneve nga inteligjenca jonë, ata ishin trajnuar në kampet në Serbi”, tha ai.
“Kemi gjetur disa dokumente që na bëjnë të dyshojmë se ka pasur individë nga Rusia po ashtu”, theksoi kreu i MPB-së për Associated Press përcjell Klankosova.tv
“Sa u përket pajisjeve, ne kemi dëshmi, por sa u përket individëve, ne ende kemi vetëm dyshime”, theksoi Sveçla.
Sipas kreut të MPB-së nga pamjet e siguruara nga droni anëtarët e grupit terrorist bartnin maska.
“As anëtarët e grupit që u arrestuan nuk e dinin se kush ishin ata. Pra, ata ose janë zyrtarë të lartë të sektorit të sigurisë së Serbisë, ose kanë ardhur direkt nga Rusia”, tha Sveçla.
Në Perëndim ka frikë se Rusia, duke vepruar përmes Serbisë, mund të synojë destabilizimin e Ballkanit dhe të shpërqendrojë vëmendjen nga pushtimi i saj i Ukrainës.
Rusia ka ofruar mbështetje për Serbinë pas sulmit në Banjskë, duke e akuzuar Perëndimin se ka dështuar që të mbrojë serbët e Kosovës, shkruan AP përcjell Klankosova.tv