DASH për sulmin në Kosovë nga grupi serb: Nuk mund të barazohet vrasja e policit me atë të sulmuesve
Shtetet e Bashkuara të Amerikës kundërshtojnë përpjekjet që të barazohet vrasja e rreshterit të Kosovës, Afrim Bunjaku, me sulmuesit “që ishin të përfshirë në vrasjen” e tij.
Kështu tha për Radion Evropa e Lirë zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Mathew Miller, në pyetjen lidhur me atë se si SHBA-ja i cilëson personat që sulmuan Policinë e Kosovës në Banjskë të Zveçanit më 24 Shtator.
“Ne kemi qenë shumë të qartë: SHBA-ja dënon fuqishëm sulmet e koordinuara dhe të dhunshme ndaj Policisë së Kosovës më 24 Shtator dhe ne shprehim ngushëllime për familjen e rreshterit të Policisë së Kosovës i cili u vra gjatë detyrës. Ne kundërshtojmë përpjekjet për të barazuar vdekjen tragjike të rreshterit të Policisë së Kosovës [Afrim] Bunjaku me vdekjen e individëve që ishin të përfshirë në vrasjen e një polici. Përgjegjësit duhet të dalin para drejtësisë përmes një procesi hetimor transparent. Ky hetim është duke u zhvilluar”, tha Miller.
Më 24 Shtator, Policia e Kosovës u sulmua në Banjskë të Zveçanit, teksa po kryente një operacion për heqjen e një barrikade të vendosur në rrugë.
Si pasojë e sulmit mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku dhe u plagosën disa policë të tjerë.
Sulmuesit e dyshuar, që sipas autoriteteve në Kosovë ishin rreth 30, u strehuan në manastirin e Banjskës dhe prej aty vazhduan përleshjet me Policinë.
Tre sulmues të dyshuar mbetën të vrarë gjatë shkëmbimit të zjarrit, ndërkaq katër persona janë arrestuar për këtë sulm, që Kosova e konsideron terrorist dhe për të e fajëson Serbinë.
Beogradi ka mohuar se ka gisht në këtë ngjarje. Më 27 Shtator në Serbi u shpall ditë zie për tre serbët e vrarë në Banjskë. Ky vendim u kritikua edhe nga Bashkimi Evropian.
Zëdhënësi i bllokut, Peter Stano, deklaroi se “nuk mund të barazohen viktimat e terrorizmit me terroristët”.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, tha më 27 shtator se ai kurrë nuk mund t’i cilësojë si “terroristë” pjesëtarët e grupit të armatosur që sulmuan Policinë e Kosovës.
Zyrtarët në Kosovë kanë thënë se nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radoiçiç, ka udhëhequr dhe ka marrë pjesë në sulmin në veri.
Radoiçiç, që është nën sanksione amerikane, sipas presidentit serb do të merret në pyetje nga organet kompetente serbe. /REL