Vuçiq arsyeton vrasjen e policit Afrim Bunjaku?! Nuk ka pasur çka kërkon aty!
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq në mënyrë indirekte ka arsyetuar kriminelët që vranë në pritë rreshterin Afrim Bunjaku në Banjskë të Zveçanit.
Në intervistën për televizionin shtetëror serb, Vuçiq ka thënë se policia kosovare nuk është dashur të jetë në Banjskë, transmeton Lideri.mk.
“A e arsyetoj vrasjen e policit shqiptar… Sipas Marrëveshjes së Brukselit ai nuk ka pasur çka kërkon aty dhe për këtë organet tona do të inicojnë hapa tëardhshëm”, ka deklaruar Vuçiq, duke shtuar se pjesëtarët e grupit serb që kryen sulmin asnjëherë nuk do i quajë terroristë. (Linku i tekstit më gjerësisht në gjuhën serbe: https://www.blic.rs/vesti/politika/vucic-o-nastradalim-srbima-u-banjskoj-imamo-lica-koja-su-spremna-da-budu-zasticeni/tjwscc6
Ndërkohë për zhvillimet në Veri gjerë e gjatë shkruan gazeta londineze The Guardian. Kosova ka akuzuar Serbinë se qëndron pas një grupi paraushtarak që i zu pritë një patrulle policie, ku u vra rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, të dielën në Banjskë të Zveçanit. Nëse kjo vërtetohet, siç shkruan The Guardian të enjten, pritet ta ndryshojë qasjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë. Kjo e fundit pritet edhe të sanksionohet.
Autoritetet në Prishtinë shfaqën një sërë armatimesh moderne që grupi i sulmuesve të armatosur përdori gjatë sulmit, duke përfshirë dy makina të blinduara të prodhimit serb dhe një granatëhedhës, së bashku me një dokument që supozohej se tregonte se granatahedhësi, i bërë nga kompania e armëve Zastava, ishte lëshuar nga ushtria serbe.
Qeveria e Kosovës pohoi gjithashtu se lideri i grupit ishte politikani serb i Kosovës, Milan Radoiçiq, besnik i presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, dhe se një nga tre luftëtarët paraushtarakë të vrarë të dielën ishte një ish-truproje e Aleksandar Vulinit, shefit të inteligjencës serbe i sanksionuar nga SHBA-ja në korrik për korrupsion.
“Ky grup ka ardhur nga Serbia, ata janë të trajnuar në Serbi, të financuar nga ata dhe gjithashtu të pajisur nga ushtria e Serbisë dhe policia e saj. Një pjesë e armëve janë marrë nga magazinat e ushtrisë dhe janë dorëzuar te terroristët që kanë ardhur në Kosovë nga Serbia”, ka thënë për Guardian, Xhelal Sveçla, ministri i Brendshëm i Kosovës.
Sveçla ka thënë se ministria e tij kishte ndarë provat me ambasadat dhe agjencitë perëndimore.
“Ajo që ata donin të bënin është të kapnin territorin e Kosovës dhe të hapnin një kanal të ri komunikimi, një rrugë të re nga Serbia në Kosovë”, ka thënë ai, duke shtuar se qëllimi përfundimtar ishte ndarja e vendit.
Qeveria serbe ka mohuar përfshirjen me grupin e armatosur, por ka mbajtur një ditë zyrtare zie për tre sulmuesit e vdekur.
Vuçiq ka kërkuar të justifikojë veprimet duke pretenduar rrejshëm, në një takim me ambasadorin rus në Beograd, se Qeveria e Kosovës po kryente spastrim etnik.
Kosova pretendon se grupi drejtohej nga Milan Radoiçiq, nënkryetari i partisë Lista Serbe e mbështetur nga Beogradi, e cila dominon politikën në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës.
Sveçla ka thënë se shërbimi i inteligjencës së Kosovës beson se Radoiçiq, i cili është sanksionuar nga SHBA-ja dhe Britania e Madhe, ishte plagosur dhe po shërohej në spitalin kryesor ushtarak në Beograd.
Përplasja ndodhi në një kohë kur bisedimet e ndërmjetësuara nga BE-ja që synojnë normalizimin e marrëdhënieve midis dy vendeve kanë ngecur, me Vuçiqin që u zotua se nuk do ta njohë kurrë Kosovën dhe Qeveria e Kosovës si pasojë refuzon të krijojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe.
SHBA-ja i ka mbështetur bisedimet dhe deri më tani ka mbajtur anën e Evropës, që fajëson kryeministrin Albin Kurti për dështimin e negociatave. Por administrata Biden po heton përfshirjen e Beogradit në njësinë paraushtarake dhe po përpiqet të zbulojë misionin e saj.
Nëse Vuçiqi zbulohet se ka qenë i përfshirë, kjo mund të ndryshojë qasjen e SHBA-së dhe BE-së ndaj negociatave. Kjo gjithashtu mund të çojë në sanksione ndaj Serbisë.
“Është gjithnjë e më e qartë se ka pasur një skenar për të provokuar një konflikt në mënyrë që ushtria serbe pastaj të hyjë për të mbrojtur popullin serb në veri dhe kështu të zbatojë ndarjen e Kosovës”, ka thënë Sonja Biserko, presidentja e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi.
“Ky operacion, pavarësisht se kush është drejtpërdrejt përgjegjës për të në Beograd, ka kaluar një vijë të kuqe që perëndimi nuk mund ta tolerojë. Kjo situatë nuk është provokuar nga Kurti, siç komentojnë shumica në Beograd. Përkundrazi, ai tregoi pjekuri dhe policia e Kosovës tregoi profesionalizëm”, ka shtuar Biserko.
Edward Joseph, ish-zëvendësshefi i misionit në Kosovë i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, ka thënë se nëse Beogradi qëndron pas grupit paraushtarak, SHBA-ja do të duhet të rimendojë qasjen e saj ndaj rajonit.
“Çështja është se thirrjet për dialog janë boshe tani që e gjithë strategjia e SHBA-së – për të kultivuar Serbinë e Vuçiqit si ‘partner’ – është hedhur në erë”, ka thënë Joseph, tani anëtar i lartë në shkollën e studimeve të avancuara ndërkombëtare të Universitetit Johns Hopkins në Uashington.
“Mohimet që kinse s’ka dijeni të Vuçiqit janë po aq të besueshme sa politika iluzionare e SHBA-së ndaj Serbisë”, ka shtuar ai.