Kosovë

Publikohen pamjet e sulmuesve të policisë, a ka edhe mercenarë rusë të Wagnerit?

Vrasja e një zyrtari policor dhe plagosja e një tjetri, mëngjesin e sotëm në veri të Kosovës ka çuar në këmbë shtetin. Këshillit i Sigurisë së Republikës së Kosovës ka mbajtur mbledhje, teksa kryeministri Albin Kurti tashmë ka dalë në konferencë për media.

Në konferencë, u publikuan të gjitha pamjet që posedon shteti, ku shihen njerëz të armatosur rëndë e me uniforma ushtarake.

Kurti tha se janë mbi 30 persona, teksa Policia e Kosovës ka vendosur perimetrin rreth tyre.

“Ata kanë ardhur të luftojnë, të destabilizojnë. I bëjë thirrje të dorëzohen”, u shpreh Kurti.

Burime të sigurisë në Kosovë po verifikojnë nëse në mesin e sulmuesve ka edhe mercenarë rusë dhe pjesëtarë të Wagnerit, por ende nuk ka informacione të konfirmuara për këtë, transmeton Lideri.mk.

Hoti për informatat se sulmuesit janë pjesëtarë të Wagnerit: S’kemi diçka të argumentuar

Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës, Fehmi Hoti, i pyetur në konferencë për media se nëse sulmuesit janë nga grupi mercenar rus Wagner, ai ka thënë se po i trajtojnë informatat, porse nuk ka diçka të argumentuar.

“Ne kemi bashkëpunim shumë të ngushtë e të mirë me AKI-në, trajtojmë çdo informatë që marrim. Kemi pasur edhe më herët informata për Grupin Wagner, se individë nga ky grup mund të lëvizin, do të lëvizin apo mund të sulmojnë. Të gjitha janë trajtuar, por deri tash nuk kemi diçka të argumentuar e trajtuar, se janë pjesëtarë të këtij grupi. Si informacion e kemi trajtuar. Me KFOR-in jemi në kontakt të vazhdueshëm për të gjitha veprimet që ndërmerr policia, jemi në koordinim të vazhdueshëm”, tha Hoti.

Ndërkohë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se dihet që “rrotull kufirit të Kosovës në anën e Serbisë, ka vazhdimisht lëvizje”.

Kurti në konferencë tha se janë 30 persona të armatosur, të cilët tashmë janë rrethuar nga Policia, ndërkohë që sulmet po vazhdojnë.

Ai iu bëri thirrje të dorëzohen, teksa tha se do të vazhdojnë ta mbrojnë ligjshmërinë dhe qytetarët.

“Rreth orës 3, ka humbur jetën zyrtari ynë policor, Afrim Bunjaku, ndërsa në trajtim ndodhet një zyrtar tjetër, Alban Rashiti. Ai sot do të lirohet nga spitali pas një operacioni të suksesshëm. Pasi që janë penguar në rrugë, janë sulmuar me armë të ndryshme, përfshirë granata e zolla. Sot është ditë e rëndë në vendin tonë. Nga sot do të mungojë një zyrtar I përkushtuar. Vrasja e tij duhet të kthehet në angazhim më të shtuar, në luftim të bandave kriminale, që cenojnë rendin kushtetues. Sulmet po vazhdojnë akoma. Ne e dëmojmë këtë sulm terrorist.

Në këtë betejë mbrojmë ligjshmërinë, qytetarët dhe Kosovën e pavarur. Kriminelët do të dështojnë, do të kapen, do të gjykohen, e do të dënohen. Institucionet janë të gatshme për t’iu përgjigjur kriminelëve. Qëndrojmë pranë familjeve të policëve dhe Policisë së Kosovës. Në këtë rrugëtim, jemi absolutisht bashkë. I ftoj qytetaret, ta ruajnë qetësinë dhe të tregojnë mature që të kryejnë punën e tyre profesionale.

Afrim Bunjaku u vra mizorisht në krye të detyrës. Sulmet mbi policinë tonë janë duke vazhduar. Janë së paku 30 persona të armatosur rëndë, profesionistë, ushtarakë e profesionistë, të cilët ndodhen nën rrethimin e forcave tona policore. I ftoj të dorëzohen.”, tha Kurti, raporton Gazeta Sinjali.