Kasami për sulmin në Veri: Serbia nuk ka heqë dorë nga terrorizmi, Maqedonia të tërhiqet nga “Open Ballkani”
Sulmi në Zveçan të Kosovës dëshmon se Serbia nuk heqë dorë nga terrorizmi, masakrat dhe sëmundja e saj pushtuese, të cilat Vuçiq i ka trashëguar nga Millosheviqi dhe i zbaton në mënyrë të njëjtë sikur paraardhësi i tij, përmes kriminelëve të cilët financohen dhe mbështeten nga vetë shteti serb.
I bëj thirrje faktorit ndërkombëtar që urgjentisht të marr masa, ti bëj presion presidentit serb që të respektojë dhe zbatojë të gjitha marrëveshjet për njohjen e Kosovës. Po ashtu kërkojmë që BE dhe SHBA të mbështesin Kosovën në të gjitha përpjekjet e saj për të mbrojtur paqen dhe stabilitetin jo vetëm në territorin e Kosovës por edhe në të gjithë Ballkanin. Sepse sulmi i mëngjesit të sotëm dëshmon që Serbia dëshiron që në Kosovë dhe në Ballkan të ketë luftë, ndërsa kjo të fillojë me shqiptarët.
Si kryetar i Lëvizjes BESA dhe i gjithë subjekti të cilin e përfaqësoj, jemi plotësisht në mbështetje të Kosovës dhe kryeministrit Albin Kurti. Jemi të gatshëm për çdo lloj mbështetje.
Po ashtu, i shprehi ngushëllime familjes së policit të vrarë dhe të gjithë popullit të Kosovës.
Nga ana tjetër kërkoj që Qeveria e Maqedonisë së Veriut të heqë dorë nga projekti serb “Ballkani i Hapur” në të cilën iniciativë tashmë kanë mbetur vetëm Ali Ahmeti dhe Dimitar
Kovaçevski.
Urojmë që ky veprim i Serbisë në territorin e Kosovës të jetë i fundit dhe shpresojmë që faktori ndërkombëtar të jetë në anën e Kosovës dhe të mbrojë paqen dhe stabilitetin në Ballkan.