Maqedoni

Takim Kovaçevski-Sholc në Nju-Jork: Eurointegrimet dhe rruga evropiane janë alternativa më e mirë dhe e vetme

Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, pati një takim të shkurtër me kancelarin gjerman, Olaf Sholc, në kuadër të manifestimit për shënimin e 50 vjetorit të anëtarësimit të Gjermanisë në Kombet e Bashkuara, që u mbajt në selinë e Organizatës në Nju Jork, kumtoi shërbimi për shtyp i Qeverisë.

Siç citohet në kumtesë, kryeministri Kovaçevski e uroi kancelarin Sholc për anëtarësimin jubilar të Gjermanisë në KB dhe kontributin e madh të Republikës Federale të Gjermanisë për stabilitetin dhe sigurinë e rajonit tonë, Evropës dhe botës.

“Kryeministri falënderoi kancelarin për bashkëpunimin mes dy vendeve në kuadër të KB-së, por edhe në bazë dypalëshe në 30 vitet e fundit, gjë që thekson Gjermaninë si një nga partnerët më të afërt evropianë të vendit tonë. Në takim u theksua se Gjermania pret që Maqedonia e Veriut të anëtarësohet në Bashkimin Evropian, duke theksuar se integrimi evropian dhe rruga evropiane janë alternativa më e mirë dhe e vetme për vendin. Vendimi shtetëror që duhet të merret në periudhën e ardhshme është e vetmja mundësi për të siguruar cilësinë e jetës së qytetarëve të RMV-së sipas standardeve evropiane dhe për të arritur anëtarësimin në BE deri në vitin 2030. Përndryshe, siç vlerësohet, qytetarët dhe shteti maqedonas me siguri do të përballen me izolim afatgjatë, gjë që nuk është në interes të Maqedonisë së Veriut, rajonit dhe Evropës”, informon shërbimi për shtyp i Qeverisë.

Kryeministri Kovaçevski, shtohet në kumtesë e falënderoi kancelarin Sholc për mbështetjen e madhe që marrim nga Gjermania në integrimet demokratike, evropiane dhe zhvillimin ekonomik të vendit tonë.

“E njëjta gjë pasqyrohet qartë edhe në rezolutën e miratuar nga Bundestagu Gjerman që konfirmon përkushtimin tonë për integrim të përshpejtuar evropian me gjuhë, kulturë dhe identitet maqedonas. “Ky është konfirmim për nevojat dhe interesat nacionale dhe strategjike të qytetarëve të RMV-së”, tha Kryeministri Kovaçevski në takimin me kancelarin Sholc”, thekson Qeveria në kumtesë.