Maqedoni

Produktet ushqimore bazë nga e mërkura do të shiten me etiketën “Çmim i garantuar”

Mbi 50 artikujve të ndryshëm ushqimorë nga e mërkura do tu vihet etiketa “Çmim i garantuar”, masë e cila synon që të mbroj konsumatorët nga manipulimet e tregtarëve me çmime të ekzagjeruar. Nga 20 nëntori, në çdo pikë të shitjes në vend qytetarët do të kenë mundësi të blejnë më lirë për 10% prodhimet e qumështit, prodhimet e grurit, prodhimet e mishit dhe fruta-perimet. Në listën e përgatitur nga Ministria e Ekonomisë pritet të përfshihen qumështi, djathi, kaçkavalli, patatet, domatet, specat, vezët, orizi, qepët, mishi i kuq dhe i bardhë, peshku, fasulja, mielli, vaji, sheqeri dhe një sërë produktesh të tjera. Nga e premtja nuk lejohet të ketë asnjë shitje në aksion.

“Ka një vendim paralel në ndalimin e shitjes promocionale dhe aksioneve. Nesër do të ketë një korrigjim të vogël të atij vendimi, të cilin e publikuam javës që shkoi. Çmimet që do të jenë me etiketën ‘çmim i garantuar’ do të kontrollohen rreptësishtë nga Inspektorati i tregut. Nëse dikush përpiqet të keqpërdorë, duke vënë etiketën e ‘çmimit të garantuar’ pa paraqitur se bënë ulje shkaku i skadencës së afatit apo nuk janë të përfshirë në listën e çmimeve të ngrira, sipas Ligjeve të Tregtisë, mbështetjes së konsumatorit dhe të Ligjit të Inspektoratit të tregut, dihet çfarë pason”, deklaroi Kreshnik Bekteshi, Ministër i Ekonomisë.

Bëhet fjalë për produkte ushqimore bazë, 90% e të cilave tatohen me 5% TVSH. Ideja është që çmimi me të cilin janë shitur më 1 gusht të këtij viti duhet të bjerë me të paktën 10%. Po vazhdojnë negociatat me prodhuesit dhe distributorët e pijeve joalkoolike, për uljen e çmimeve edhe të këtyre produkteve.

Do të kem takim me prodhuesit e pijeve dhe furnitorët, prej të cilëve pres të kem reagim pozitiv që në vendimin e ardhshëm, përveç artikujve higjienik të përfshihen edhe pijet në ngrirjen e çmimeve deri më 30 nëntor”, tha Kreshnik Bekteshi, Ministër i Ekonomisë.

Ministri Bekteshi fton të gjithë prodhuesit dhe tregtarët që nuk do të mbulohen nga masa e qeverisë, që t’i bashkohen vullnetarisht aksionit të uljes së çmimit dhe të kenë mundësinë të përdorin etiketën “çmimi i garantuar”. Për ata që do të manipulojnë paralajmërohen kontrolle dhe penalitete të rrepta. Kjo masë vjen pasi autoritetet konfirmuan ngritje enorme të çmimeve të produkteve ushqimore dhe masa të reja kundër krizës, të cilët përpiqen të ulin ndikimin e krizës në kategoritë më të prekura të qytetarëve. /Alsat.mk