Kamberi-Vuçiqit: Jetojmë në 5 shtete, por jemi shqiptarë, kemi një gjuhë, një flamur!
Deputeti shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi i ka reaguar presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq pas deklaratës së tij në Nish, ku tha se “mund të jetojmë në shumë shtete, por kemi emrin e mbiemrin serb dhe një flamur”, raporton Gazeta Sinjali.
Ai tha se e njëjta e vërtetë qëndron edhe për shqiptarët, pavarsisht se Vuçiq nuk dëshiron ta pranoj, me shkas të cilin edhe e pyeti në reagimin e tij në “Facebook”, se përse ka standarde të dyfishta të cilat nuk ndërtojnë paqe.
“Njësoj edhe ne zoti president. Jetojmë në pesë shtete por vazhdojmë të jemi një komb- jemi shqiptarë. Njësoj edhe ne kemi një flamur. Njësoj edhe ne kemi një gjuhë”.
“Për çfarë arsye atëherë konsideroni se disa të drejta janë veç për serbët? Pse të drejtat e njëjta nuk ia pranoni shqiptarëve në Serbi? Pse atëherë dënohen shqiptarët kur përdorin simbolin e vet kombëtar? Pse shqiptarëve në Luginë të Preshevës nuk i njihet e drejta për përdorim zyrtar të gjuhës amtare në organet shtetërore?”, e pyeti Kamberi.