“Tentim për vrasje” – Prokuroria nis hetimet ndaj 33 vjeçarit nga Haraçina
Prokuroria Themelore Publike Shkup ka iniciuar procedurë hetuese kundër 33 vjeçarit nga Haraçina, për shkak se ekziston dyshimi i bazuar se ka kryer vepër penale “tentim për vrasje”, përcjell KlanM. Përveç kësaj, ndaj tij rëndon edhe akuza për “shkaktim të rrezikut të përgjithshëm”.
I dyshuari 33 vjeçar është nga Haraçina e Shkupit, ndërsa veprat për të cilat dyshohet, siç përcjell KlanM, i ka kryer më 11 shtator.
Siç njoftohet nga Prokuroria Themelore Publike, i dyshuari ka tentuar qëllimisht të vrasë dy persona të cilët kanë reaguar verbalisht, kur i dyshuari ka drejtuar një makinë Land Rover me shpejtësi të madhe në trotuar pranë qendrës tregtare ‘Biser’ në Aerodrom, duke shkaktuar rrezik të konsiderueshëm për jetën dhe gjymtyrët e njerëzve, përcjell KlanM.
“Në momentin që viktimat ia kanë bërë me dije për rrezikun që po shkaktonte, ai ka kthyer mjetin dhe është nisur drejt tyre me shpejtësi të madhe me qëllim që t’i shkelë. Ata janë larguar dhe i dyshuari ka dalë nga vetura me thikë në dorë dhe të dyve u ka shkaktuar katër plagë me thikë, duke u shkaktuar lëndime më të rënda trupore”, thonë nga Prokuroria Themelore.
Që rasti të jetë më i rëndë, sipas PTHP-së, e kanë parandaluar një grup qytetarësh që kanë qëlluar në vendngjarje, të cilët kanë filluar të bërtasin dhe i kanë kundërvënë të dyshuarit duke e penguar atë që të kryejë veprën. Më pas, siç përcjell KlanM, i dyshuari është kthyer në veturën e tij dhe menjëherë është larguar nga vendi i ngjarjes.
Prokurori publik, siç njoftohet, i ka dorëzuar gjyqtarit të procedurës paraprake nga Gjykata Themelore Penale Shkup, propozim për caktimin e masës së paraburgimit për të dyshuarin. Kjo për arsye se, siç sqarohet, ekzistojnë rrethana për rrezik arratisjeje të të dyshuarit, apo mundësi për pengim të procedurës penale nga duke ndikuar te dëshmitarët. Gjithashtu, në propozimin e prokurorisë thuhet se ka rrezik që autori ta përfundojë vepren e nisur më 11 Shtator./KlanMacedonia