Maqedoni

Kovaçevski-Han: Një e ardhme e sigurt evropiane do të thotë stabilitet politik dhe ekonomik për Maqedoninë e Veriut

Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, në kuadër të Forumit të tretë Ekonomiko-Financiar të Shkupit (SEFF), realizoi takim me Komisionerin Evropian për Buxhet dhe Administratë, Johanes Han.
Në takimin ku mori pjesë edhe ambasadori evropian Dejvid Gir, në fokus të bisedimeve ishin proceset integruese evropiane të Maqedonisë së Veriut dhe rëndësia e procesit të ardhshëm të miratimit të ndryshimeve kushtetuese.
U theksua se Maqedonia e Veriut duhet të njohë rëndësinë e momentit historik para të cilit ndodhet dhe domosdoshmërinë për të bërë një hap përpara në procesin e integrimit evropian që qytetarëve do t’u sigurojë një të ardhme të sigurt evropiane.
Përkrahja e Bashkimit Evropian për Maqedoninë e Veriut është rezultat i përkushtimit të fuqishëm që Qeveria në mënyrë të vazhdueshme e tregon në zbatimin e proceseve reformuese, ndërsa procesi i negociatave me BE-në do të ndikojë pozitivisht edhe në mjedisin e përgjithshëm të biznesit.
Në takim u theksua se procesi i integrimit nënkupton edhe ndryshime thelbësore, harmonizim të kuadrit institucional, ekonomik dhe ligjor me ligjet, rregulloret, standardet dhe politikat e BE-së.Kjo do të mundësojë rritjen e PBB-së, uljen e papunësisë, qasjen në tregun e BE-së, i cili përfshin mbi gjysmë miliardë qytetarë në një ekonomi me një prodhim të brendshëm bruto (PBB) prej rreth 13 trilion euro, rritje të investimeve të huaja të drejtpërdrejta, rritje të pagës minimale dhe pagës mesatare, si dhe përforcimin e stabilitetit politik, sigurisë dhe pozicionimin e përgjithshëm ndërkombëtar./KlanMacedonia