September 20, 2024
Kosovë

Asnjë shqiptar s’do ta pranonte marrëveshjen e ofruar sot nga Borelli e Lajçaku

Analisti politik, Agim Sopi, ka thënë se jo vetëm kryeministri Albin Kurti, por asnjë shqiptar s’do të pranonte marrëveshjen e ofruar nga Bashkimi Evropian për dialogun Kosovë-Serbi.

Sopi ka deklaruar se marrëveshja bazë është sajuar mbi dykuptimësi kreative, por se në “realitet ka shkuar në dëm të Kosovës”.

“Bisedimet po dështojnë dhe po dështojnë me të drejtë sepse bashkësia ndërkombëtare s’e ka ofruar një marrëveshje të sinqertë dhe kreative qysh ka thënë, por ka ofruar një marrëveshje të kamufluar që shkon rrastë në dëm të Kosovës. Një marrëveshje të tillë populli s’e pranon. Nëse mbi këtë bazë rrëzohet qeveria garantoj që do t’i fitojë 70 për qind”, ka thënë ai në “Konfront”.

Propozimi i ofruar nga Kosova të enjten, sipas Sopit, është dashur të ishte në preambulë të marrëveshjes bazë.

“Kurti ka artikuluar pozicionin e Kosovës, që është dashur të artikulohet ditën e parë kur është arritur marrëveshje. Ajo është sajuar mbi të ashtuquajturën ambiguitet kreative në diplomaci, apo dykuptimësi, që të dyja palëve u krijohet iluzioni se po respektohet maksimalisht kërkesa e tyre, por që asnjërës nuk i afrohet diçka e tillë. Por kur përdoret kjo metodë në diplomaci, marrëveshja kundërshtuese ju ofrohet një qëllim përfundimtar. Kjo marrëveshje s’e ka të artikuluar qëllimin përfundimtar dhe sot përfundimisht u artikulua qëllimi përfundimtar. Kjo s’ka qëllim një kompromis nga Kosova e një favor Serbisë për ta zgjidhur problemin, por për ta thelluar problemin dhe për ta shkatërruar kompaktësinë territoriale të Kosovës”, ka thënë ai.

Sipas tij, me propozimin e Kurtit do të njihej sovraniteti dhe kompaktësia e Kosovës, ndërsa me refuzimin e propozimit u bë e qartë se “parimet e Organizatës së Kombeve të Bashkuara vlejnë vetëm për Serbinë, sepse asaj i njihet territorialiteti, e ajo e ka në Kushtetutë Kosovën, është pjesë e OKB-së”.

“Për të vlejnë të gjitha këto, por jo për Kosovën. Për Kosovën ka qenë mashtrim, që është futur në një lojë për të ta marrë një pjesë të territorit. Jo marrëveshja e 2013-s që do ta ketë si bazë statusin e krijimit të Asociacionit, por marrëveshje që do të ketë ingjirenca ekzekutive, autonomi e zgjeruar territoriale, madje që me statutin e propozuar të grupit punues, ishte një Republika Serbe 2. Sot me fjalë të tjera u ka thënë Kurti se ambiguiteti ka marrë fund. Duhet ta qartësoni a vlen kjo marrëveshje për të dyja palët tamam, apo për mua lexohet si metaforë për ta ushqyer masën elektorale ose klasën politike të fjetur të Kosovës dhe se e kemi fituar njohjen de facto, por realisht as që kemi fituar asgjë dhe e kemi humbur një pjesë të territorit”, ka shtuar ai. “Kurti edhe po të ishte i çmendur, jo vetëm ai, por asnjë shqiptar s’besoj se do të pranonte diçka të tillë e të nënshkruante këtë marrëveshje”.