Themelimin e Akademisë së Shqiptarëve për Shkencë dhe Art e pengojnë vetë Shqiptarët
Konkluzione nga mbledhja e anëtarëve të Shoqatës Akademike të Shqiptarëve për Shkencë dhe Art, mbajtur në Shkup, më 09.09.2023, në orën 12:00
Mbledhja nxorri këto konkluzione:
1. Të inicohet pranimi i akademikëve të rinj, më të rinj se 70 vjeç, të cilët kanë punime relevante shkencore.
2. U Apelohet partive politike shqiptare që të përkrahin Kërkesën me Elaboratin e përgatitur dhe dërguar Qeverisë, Kuvendit të RMV-së dhe partive politike për formimin e një Akademie të Shkencave Shoqërore dhe Albanologjike, si interes publik i shqiptarëve në RMV, me seli në Shkup, me financim shtetëror.
3. Publikisht e lusim Institutin e Trashëgimisë Kulturore Shqiptare të merret me aktivitetet e përcaktuara në dokumentet e themelimit, e jo të pengojë idenë tonë që e kemi artikuluar tani më 2 vite, për një Akademi shkencore të mëvetësishme të shqiptarëve në RMV.
4. Informojmë opinionin publik se në RMV, në kuadër të institucioneve me interes dhe financim publik, ngjashëm me veprimtarinë tonë, funksionojnë 38 Insitucione publike, nga të cilët vetëm 1 (një) është shqiptar.
5. Prandaj, lusim intelektualët shqiptarë, mediumet, faktorët vendimmarrës shqiptarë në Qeveri, që të mos merren me filozofinë e analizës së njerëzve në stilin “ky – ai”, por të përkrahin idenë tonë, dhe të përfitojmë një institucion që na takon nga hisja jonë e taksapaguesve . Njëkohësisht, të krijojmë një subjekt shkencor që do të jetë në disponim të inteligjencës shqiptare për gjeneratat e ardhshme.
6. Jemi të indinjuar nga përfaqësuesit tonë në Qeveri, të cilët e kanë pranuar Elaboratin tonë prej 121 faqesh, por akoma nuk na janë përgjigjur, dhe nuk ndajnë kohë as 10 minuta që ta dëgjojnë idenë tonë! Theksojmë se si përfaqësues të popullit shqiptar, e kanë obligim ligjor dhe moral, që të dëgjojnë secilin qytetar, e jo më profesorë universitarë, që tërë jetën ia kanë kushtuar arsimit dhe shkencës!
7. Shpresojmë te kuadri shkencor dhe akademik shqiptar në RMV dhe jashtë, që me mbi 100 nënshkrime e përkrahin idenë tonë, të ngrenë zërin dhe të senzibilizojnë opinionin publik për hir të perspektivave qytetare dhe zhvillimit të shkencës dhe artit te shqiptarët e RMV-së.
8. Të organizohet/n konferencë/a shtypi me të gjitha mjetet e informimit që veprojnë në RMV dhe të shpaloset ideja e formimit të Akademisë Shqiptare për Shkencë dhe Art, dhe të identifikohen qartë publikisht subjektet që e pengojnë themelimin e saj.
9. Akademia jonë është e vetëdijshme se duke kritikuar shpopullimin e trojeve tona, ikjen e të rinjëve, mospasjen e librave për nxënësit, mbushjen e vendbanimeve me bërllog, korupcionin, moszyrtarizimin e gjuhës shqipe etj se ne nuk jemi të përshtatshëm politikisht. Andaj me, urdhër të politikës, në fillim, filluan të na bojkotojnë mediumet maqedone e pastaj ato shqiptare, me përjashtime shumë të vogla
10. Etiketimet, përgojimet, pengesat që na bëhen edhepse qe dy vite vetëfinancohemi me të holla pensionesh, na japin një përgjigje të qartë se si pushtetarët me sjelljet e veta i detyrojnë njerëzit që të ikin nga trojet tona. Fatëkeqësisht.
11. Ne po vazhdojmë me përkushtim misionin tonë si Akademi e vërtetë e Shkencave dhe Arteve e Shqiptarëve në RMV.