Vjosa Osmani i kundërpërgjigjet Vuçiqit në Shkup: Kosova do të jetë këtu përjetë
Takimi në Shkup në Procesin e Brdo-Brionit përfundoi pa fërkime verbale të drejtpëdrejta ndërmjet Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani dhe Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq; por, ky i fundit, do të lëshohej në mohim të shtetit të Kosovës kur u pyet rreth një deklarate të Kryeministrit Albin Kurti, se “Serbisë i duhet ofruar më shumë kamxhi, në vend të gurabisë”.
Kjo deklaratë e Kurtit e rroku në “nerv të keq” Vuçiqin, i cili do të lëshohej në deklarime absolutisht të papranueshme se “Kosova nuk është shtet” por edhe “nuk do të jetë kurrë”; ndonëse është vetë ai që në shkurt dhe mars ka pranuar marrëveshje për normalizim të marrëdhënieve; ku qysh në rend të parë pranon të njohë prej dokumenteve, pasaportave, simboleve shtetërore – e deri te mospengesa e anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare (vetëm shtetet anëtarësohen në organizata ndërkombëtare).
“Serbia është shtet sovran, ndërsa ata nuk janë e as nuk do të jenë kurrë”, tha Aleksandër Vuçiq. “Është interesante që dikush mendoj se ka të drejtë të kërkojë nga palët e treja që të përdorin kamxhi ndaj dikujt, kundër një shteti sovran. Pasi që ai është aq i fortë dhe aq i fort dhe të përcaktonte fatin e të gjitha kombeve të Evropës”.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, do të deklarohej pas takimit në Shkup para gazetarëve, ku tha se “Republika e Kosovës…me këta kufij…do të jetë këtu përjetë”.
“Aq më herët që e kupton këtë Serbia, aq më mirë për ta, por edhe për rrugën e tyre evropiane…. Ne duam raporte normale, raporte ku e njohim njëra tjetrën, sovranitetin dhe intetgritetin territorial të njëra tjetrës; ku nuk luftohet tjetri ne atë e kemi vullnet të gjithmonshëm”, tha Vjosa Osmani.
Osmani tha se shteti kosovar “ballafaqohet në baza ditore me agresionin e Serbisë”.
Ajo i tha gazetarëve “siç e dini edhe ju” që Kosova “nuk ka shkaktuar eskalim në veri” por pala tjetër; përmes “strukturave ilegale të dhunshme që urdhërat i marrin nga Beogradi”.
Çfarë tha Kurti që acaroi Vuçiqin?
Në një intervistë për median estoneze “Delfi”, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kërkoi nga ShBA dhe BE që të heqin dorë nga “qasja e butë” ndaj Serbisë, dhe se “në vend të gurabisë…Serbisë t’i ofrojnë më shumë kamxhi”. Ngase sipas tij, “kjo qasje e butë…nuk do të kryejë punë”.
Kurti pati edhe “sugjerim” konkrete ndaj ShBA-së dhe BE-së.
Në rend të parë, Albin Kurti, tha se Bashkimi Evropian duhet të kërcënojë Beogradin me rikthim të regjimit të vizave. “Do të ishin të gatshëm menjëherë ta zbatojnë marrëveshjen, sepse nuk do të guxonin të humbisnin lëvizjen e lirë pa viza”, ka thënë ai.
Por edhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, kryeministri ua shtron një ide: “t’i thonë se mbështetja ndaj Serbisë nga perëndimi demokratik nuk duhet të merren si e mirëqenë”.
Pyetur se a duhet që Perëndimi duhet t’i jep ndonjë “ultimatum” Serbisë, Kurti përgjigjet në miratueshëm: “Po, mendoj se ndaj Serbnisë duhet marrë masa strikte për investimet e huaja. Nëse do të kërcënoheshin me tërheqje, Serbia do të sillej menjëherë në mënyrë të disiplinuar dhe do ta zbatonte marrëveshjen tonë”, ka shtuar ai.
Kurti shpreht se, po, Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara “mbështesin dhe ndihmojnë” Kosovën, por se janë kapluar në atë që të largojnë Serbinë nga Federata Ruse – dhe se në këtë konsiston gabimi i tyre.
“Ata duan ta nxjerrin Serbinë nga Rusia vetëm përmes fuqisë së butë dhe një gurabi, e jo me kamxhi. Nuk kryen punë kjo”, ka thënë ai./BotaSot