Lajmet e reja

Reformimi i BE-së, do të zëvendësojë veton me shumicë të kualifikuar

Bashkimi Evropian pritet të fillojë diskutimin thelbësor mbi reformimin e tij.

Krerët evropianë kanë njoftuar se reformat brenda Unionit do të zhvillohen paralelisht me procesin e zgjerimit, ndërsa viti 2030 mbetet një qëllim politik për anëtarësimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor, shkruan Alsat.
Deri atëherë, BE-ja do t’i kushtojë vëmendje çështjeve të brendshme politike, ekonomike dhe institucionale. Në veçanti, do të merren vendime se si do të duket buxheti i ri i Unionit të mundshëm të zgjeruar, sa deputetë dhe komisionerë do të kishin shtetet e reja anëtare, por edhe si do të jetë mënyra e votimit.“Çështja e parë është politike. Respektivisht, mënyra e vendimmarrjes dhe cilat tema do të mbeten me të drejtën e vetos, dhe cilat do të shkojnë me shumicë të kualifikuar. Presioni është që më shumë tema të jenë me shumicë të kualifikuar, dhe sa më pak me të drejtë vetoje, për vendimmarrje më efikase”, u shpreh Bojan Mariçiq – Zëvendëskryeministër për Çështje Evropiane.Para pak kohësh nga Shkupi, presidentja sllovene Natasha Pirc Musar theksoi se tema e zgjerimit do të vendoset me shumicë të kualifikuar, kështu që një shtet anëtar nuk mund të vendosë veto në rrugën e kandidatit për në Union.Ndërkohë, mikpritësja e Forumit Strategjik të Bledit, nga ku erdhi njoftimi për zgjerimin deri në vitin 2030, Ministrja e Jashtme sllovene Tanja Fajon, në rubrikën e fundit të publikuar në mediat rajonale, i bëri thirrje Ballkanit Perëndimor që ta shfrytëzojë këtë mundësi me shpejtësi të plotë. Sipas saj, kjo nuk do të thotë se kriteret e zgjerimit do të neglizhohen dhe se Ballkani Perëndimor mund të hyjë në Union pa i përmbushur ato, por se rajonit do t’i kushtohet vëmendje më e madhe politike.“Për BE-në, kjo do të thotë një angazhim për të reformuar procesin e vendimmarrjes dhe për ta përgatitur atë në aspektin institucional dhe financiar. BE-ja me më shumë se 30 shtete anëtare në tryezë thjesht nuk mund të jetë aq efektive sa duhet të jetë. Një reformë e tillë nuk do të jetë detyrë e lehtë, por është e nevojshme. Dhe kjo është me rëndësi strategjike për BE-në, në të njëjtin nivel rëndësie si zgjerimi. Skeptikët do të thoshin se të gjitha këto detyra duket se do të jenë shumë të vështira deri në vitin 2030. Por pikëpamja e vërtetë është se nuk do të ketë asnjë ofertë më të mirë për vendet e Ballkanit Perëndimor dhe asnjë mundësi më të mirë që Unioni të përmirësohet dhe të përshtatet me realitetet e reja botërore”, tha Tanja Fajon – Ministre e Punëve të Jashtme të Sllovenisë.Një shtysë e re për vendet e Ballkanit Perëndimor pritet në tetor, kur Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen do të paraqesë një plan të ri të rritjes për Ballkanin Perëndimor në një mini-turne në rajon, dhe në të njëjtin muaj, por në samit në Grenada të Spanjës, Bashkimi Evropian pritet përmes konkluzioneve konkrete politike të angazhojë institucionet në Bruksel për vitin 2030 si objektiv zgjerimi.