Shkolla shqipe “Adem e Hamëz Jashari” vatër e dijes dhe kulturës shqiptare në Itali
Emrie Skuka mësuese e shkollës shqipe “Adem e Hamëz Jashari”, në Perugia, Itali, rrëfen ekskluzivisht për gazetën “Dielli”, Organ i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës VATRA, New York, ruajtjen e identitetit kombëtar, historisë, gjuhës, kulturës dhe traditës shqiptare në Perugia, Itali, nëpërmjet mësimit të gjuhës e kulturës shqipe dhe aktiviteteve patriotiko-kulturore e komunitare.
Me mësuesen Emrie Skuka bisedoi Editori i “Diellit” Sokol Paja.
HISTORIKU I SHKOLLËS SHQIPE “ADEM E HAMËZ JASHARI”
Shkolla shqipe “Adem e Hamëz Jashari”, filloi mësimin më 10 prill 2019. Pas një përpjekje me të njohur, ish-nxënës të mitë e bashkëshortit, ku u treguan të gatshëm për të sjellë fëmijët e tyre në shkollë. Laureta Stajka nga Shkodra dhe Kimete Osmanaj Bufi nga Peja,15 vite më parë kanë hapur shkollën shqipe këtu në Perugia, por për arsye objektive, shkolla është mbyllur pas një viti. Shkolla organizohet njëherë në javë, çdo të shtunë, nga dy orë mësimi. Fëmijët janë të ndarë në dy grupe: në nxënës që dinë të flasin gjuhën shqipe dhe në nxënës që nuk dinë. Jemi katër mësuese: Emrie Skuka, Viola Gila(Krroqi), Ferizate Ibrahimi, Kimete Osmanaj. Një ndihmë e madhe për shkollën tonë kanë qenë Laureta Stajka, përveç se prind, ajo është edhe mediatore kulturore, ku na njeh me përvojën dhe rregullat e shtetit, si edhe Brikena Daja. Edhe ajo është prind dhe avokate, ku bën prezent pranë shkollës ligjet, të drejtat dhe detyrimet që kemi. Vitin që kaloi, ka ofruar ndihmën e saj edhe shoqata “Onufri “, me president Z.Abdulla Bufi. Kjo shoqatë ka një përvojë mbi 20-vjeçare në ndihmë të komunitetit shqiptar dhe të luftës në Kosovë. Në Perugia, që nga viti 2012, nga djem të talentuar e dashamirës të sportit, është ngritur ekipi i futbollit “Taulantët”, vetëm me lojtarë shqiptarë. Përveç pasionit, ata dhe tifozeria, prezantojnë një komunitet dinjitoz në sport, arsim, kulturë, për të mbajtur lart emrin e vendit nga vijnë. Këtë sezon ata janë regjistruar në FGCI (rruga që të çon në serinë A). Ekipi është prezente në të gjitha festat e shkollës sonë. Në fillimet e shkollës sonë, ishte ndihma e Esmeralda Biçi, Bevi,nusja e djalit të poetit të njohur Gjokë Beci. Ajo jepte gjuhën italiane për të huajt. Institucioni ku ajo punonte, e donin dhe e respektonin dhe falë saj na liruan ambientin ku ne mësojmë shqip.
METODOLOGJIA E MËSIMDHËNIES, PUNA KRIJUESE
Në mësimdhënie, për arsye të kohës së shkurtër, të diferencave në moshë të fëmijëve dhe aftësive në të shprehur e të folur të gjuhës shqipe, janë përdorur metoda të ndryshme, për të realizuar: të folurit, të lexuarit dhe të shkruarit. Diferencat në moshë dhe në zotërim të gjuhës, e vështirëson punën tonë dhe na vendos para një përgjegjësie e pune krijuese më të madhe. Brenda një ore duhet të alternohen si kurset gojore për të folur, ashtu edhe praktikat e aftësimi në të shkruar e lexuar. Shpesh na duhet të punojmë me tekste të thjeshta të punuara vetë, për t’a bërë më tërheqëse orën e mësimit. Puna në grupe, konkurset, pjesëmarrja e përfshirja aktive e prindërve për të folur e treguar, për të recituar, tërheq vëmendjen e fëmijëve dhe e bën më interesante orën e mësimit.
PËRKUSHTIMI I PRINDËRVE, DOMOSDOSHMËRI
Marrëdhënia me prindërit është bazë e punës në shkollën tonë. Një fëmijë në diasporë, vjen në shkollë shqipe kur prindi e sjell. Vjen pasi prindi i flet shqip në shtëpi, i këndon dhe i mëson këngën shqipe, përrallat, histori të ndryshme. I tregon prejardhjen dhe përse duhet t’a mësojë gjuhën e nënës e të babait. Pa prindin e ndihmën e tij, shkolla në diasporë nuk mund të funksionojë. Prandaj duhet që shkollat, shoqatat, ekipet e sporteve, bizneset në diasporë, sado të vogla të jenë, të arrijnë të bashkëpunojnë. Mbi të gjitha, të dihet se është një shkollë, mësues dhe individë që ndihmojnë. Qendra e Botimeve të teksteve shkollore për diasporën, na ka ndihmuar me libra, të cilat janë të përshtatëshme për mosha të ndryshme. Këto tekste e kanë lehtësuar punën tonë për të realizuar kurikulat e nevojshme brenda një ore mësimi. Janë Fjalorët, Abetaret, Fletët e punës, Gjuha Shqipe dhe Kultura Shqiptare për nxënës të ciklit më të lartë. Shkolla ka patur edhe përkrahjen e Lidhjes së mësuesve në Itali nga kryetarja Ariana Kosova, sekretari Nehat Marku, e Dritan Mashi.
MËSIMI SHQIP SI IDENTITET KOMBËTAR
Do t’a nisja me vargjet e një poezie të interpretuar nga nxënësja e shkollës sonë Tea Rrapi:
Kur e morëm rrugën tonë
larg prej vendit në kurbet
Gjuhën shqipe dhe Flamurin
na e dhanë amanet
Amanet të flasim shqip
sikur gjyshërit edhe ne
se larg vendit kur jeton
Gjuha të bëhet Atdhe.
Gjuha të kthen identitetin, ajo të të bën të ndihesh kush je. Natyrisht që gjuha është kështjella më e fortë dhe më e madhe që një komb ndërton për veten e tij. Kështjellë që as e shembën, as e mirë dot armiqtë tanë. E vërtetuar kjo më së miri tek arbëreshët e Italisë, Çamët e Çamërisë dhe viset e tjera nën pushtim. Në Perugia jeton e punon komuniteti shqiptar ndër më të shumtët. Për arsye të punës jo të gjithë e dinë për shkollën shqipe. Prania e shkollës, shoqatës, ekipeve sportive, festave e takimeve të ndryshme, rrit besimin tek komuniteti, ngjall interes tek vendasit e komuniteteve të tjera, rrit ndjeshmërinë nacionale kombëtare, ndihmon në kapërcimin e vështirësive. Duke bashkëpunuar, mëson më shumë për emigrimin, rregullat e punësimin. Ne kemi arritur shumë në këtë drejtim, dhe shpresojmë më shumë, duke bërë prezent fëmijë të suksesshëm në shkollë, sportistë të dalluar, studentë, piktorë, poetë, botën e biznesit me shqiptarë, etj. Në Perugia ndodhet një pllakë e shkruar në gjuhën shqipe dhe ndodhet në muzeun arkeologjik të Perugias. Është gjetur tre kilometra larg qytetit. Në Gubia, pak larg qytetit është varri i mbretit të shqiptarëve Genti.
INKURAJIMI PREJ AUTORITETEVE SHTETËRORE ITALIANE
Me të njohur italianë, kur ua prezantojmë shkollën shqipe, e presin shumë mirë. Më besoni se të trajtojnë e respektojnë ndryshe. Kur prindërit shqiptarë i kanë treguar mësuesve të fëmijëve për kurset e gjuhës shqipe që ndjekin, ata janë interesuar se si veprojnë në këto kurse dhe i kanë inkurajuar. Mësimi e përvetësimi i një gjuhe, aq më tepër i vendorigjinës tënde, është një mundësi më e madhe, është një plus mbi bashkëmoshatarët, sepse zotërimi i saj të bën më të sigurtë. Bashkëpunimin me organet shtetërore, do t’a mundësojmë nëpërmjet shoqatës dhe shpresojmë të ndihemi prej tyre. E shpreha se fëmijët me dygjuhësh dallohen në përgatitje, fjalor, përgjigje, siguri në të shprehur. Aq më tepër fëmijët tanë, kur janë të porsaardhur, vetëm muajt e parë kanë vështirësi. Pastaj dallohen jo vetëm në përvetësimin e gjuhës, po në të gjitha lëndët. Ajo që dua të vë në dukje, është se të gjithë prindërit këtu, vetë mund të punojnë në sektorë të ndryshëm, fëmijët i drejtojnë në dyert e universiteteve. Për sa i takon përdorimit të teknologjisë, në shkollën tonë tani nuk e kemi mundësinë me këtë ngarkesë brenda dy orëve.
KUSH ËSHTË MËSUESE EMRIE SKUKA?
Kam mbaruar studimet e larta në degën e gjuhë-letërsisë në Shkodër më 1979. Kam punuar mësuese në Luzni tre vjet. Pastaj në shkollën 9-vjeçare “Demir Gashi” Peshkopi, gjersa dola në pension. Letërsia ka qenë pasioni im. Si mësuese, jam përpjekur që këtë pasion t’a transmetoj edhe tek nxënësit. Mendoj se i’a kam arritur. Libri ka qenë gjithçka për mua, e ushqyer kjo dashuri nga babain Rustan Mera dhe daja im Lutfi Manjani. Prania e bibliotekave në të dyja shtëpitë, ishin vërtet thesare për ne fëmijët. Kam botuar që studente tek “Ushtima e maleve”, më vonë tek “Rilindja demokratike”, “Rimëkëmbja kombëtare”, “Drita islame, “Rruga e Arbrit”. Kam botuar dy libra monografikë “100 vjet në 36 shkronja” dhe “Sinoret Luznisë”. Dy drama për fëmijë “Ne nuk jemi për mur në”, “Ti duhet të vish baba!”si dhe montazhin letrar kushtuar Flora Brovinës, si poete, veprimtare, humaniste, luftëtare e qytetare! Që nga viti 2019 jetoj në Perugia me familjen time.