Maqedonia e Veriut sot shënon 32-vjetorin e pavarësisë
Me rastin e 8 Shtatorit – Ditës së Pavarësisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, organizuar nga Qeveria, nën moton “Lajmëtar i Lirisë”, do të mbahen disa ngjarje dhe aktivitete ceremoniale dhe kulturore në mbarë vendin.
Në orën 10:00, delegacioni qeveritar i kryesuar nga kryeministri Dimitar Kovaçevski, në përbërje nga zëvendëskryeministri i Parë dhe ministër për Sistem Politik dhe Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive, Artan Grubi, ministrja e Mbrojtjes Sllavjanka Petrovska, ministri i Punëve të Brendshme Oliver Spasovski dhe ministri i Shëndetësisë Fatmir Mexhiti, do të vendosin lule të freskëta në vendpushimet e përjetshme të ish-presidentëve të vendit, Kiro Gligorov dhe Boris Trajkovski, në Alenë e kolosëve në Varrezat e qytetit “Butel” në Shkup.
Në orën 10:45, kryeministri Dimitar Kovaçevski dhe ministri i Shëndetësisë Fatmir Mexhiti së bashku me drejtorin e SPQ “8 Shtatori” dr. Hristijan Kostov, në SPQ “8 Shtatori”, do të marrin pjesë në prezantimin e pajisjeve dhe aparateve të reja, pas së cilës do të ketë deklarata për media.
Shënimi i Ditës së Pavarësisë do të vazhdojë në Parkun e Qytetit në Shkup, në zonën afër lokacionit “Guaca”, ku do të mbahen ushtrime demonstruese taktike të njësive të Armatës së Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe MPB-së. Në lokacionin “Guaca” është paraparë një program kulturo-artistik, në të cilin orkestra ushtarake e Armatës së Maqedonisë së Veriut, shoqatat kulturore dhe artistike, si dhe program për fëmijë, me pjesëmarrje të Teatrit për Fëmijë dhe të Rinj të cilët do të interpretojnë shfaqjen “Giga Mega Përrallë”, në regji të Hana Milenkovskës, vepër e Gorjan Milloshevskit (në bazë të motiveve të Sh. Pero).