Reagime të shumta për shkeljet në Klinikën e Onkologjisë
Tronditëse dhe të tmerrshme janë për Presidentin Stevo Pendarovski informacionet për dyshime për keqpërdorimin e terapisë së personave të sëmurë me kancer në Klinikën e Onkologjisë. Sipas tij, është koha që sistemi i drejtësisë të dëshmojë se jemi të aftë edhe në praktikë dhe jo vetëm me fjalë të përballet me rastet e krimit të organizuar dhe korrupsionit.
“Sistemi shëndetësor në vend që t’u ofrojë mbështetje dhe mbrojtje të plotë atyre personave që përballen me diagnozën më të vështirë, dukshëm ka dështuar, gjë që ka humbur besimin jo vetëm te të sëmurët, por edhe është vënë në pikëpyetje cilësia e trajtimit të çdo pacienti të ardhshëm… bëj thirrje për përfundimin e shpejtë dhe efikas të hetimeve dhe procedimeve gjyqësore, pa selektivitet dhe dënim të duhur për të gjithë ata që do të vërtetohet se kanë kryer vepra të rënda kundër shëndetit të njerëzve”, deklaroi Stevo Pendarovski, President.
VMRO-DPMNE-ja do të iniciojë në Kuvend formimin e Komisionit hetues në të cilin thotë se do të hetojë nga afër shkeljet në Klinikën e Onkologjisë.
“Si njeri jam i neveritur nga ajo që po ndodh. Jemi dëshmitar të një grupimi kriminel, monstruoz dhe mafioz të disa personave medicinal të afërt me partitë në pushtet. Ajo që neverit është që për t’u pasuruar dhe për përfitim personal ilaçet të cilat në vend që t’u jepen atyre që kanë më shumë nevojë dhe vdesin në dhimbje, janë shitur diku tjetër dhe pacientët i kanë lënë në mëshirë të fatit. Prandaj kërkohet përgjegjësi, jo vetëm penale por edhe përgjegjësi politike. Nëse ka qoftë edhe pak njerëzi tek ato në pushtet duhet të japin dorëheqje të parevokueshme dhe të dalim para qytetarëve në zgjedhje të shpejta”, tha Hristijan Mickoski, kryetar i VMRO-DPMNE-së.
Kreu i Besës Bilall Kasami kërkon që përgjegjësit të marrin dënime maksimale me burg kurse ministri Mexhiti të dorëhiqet. Çdo veprim tjetër, sipas tij, dëshmon fshehjen e krimit dhe bashkëpunimin me kriminelët.
“Imagjinoni çfarë sistemi shëndetësor kemi, çfarë udhëheqësie të Ministrisë së Shëndetësisë dhe çfarë kryeministri. Deri sa qytetarët vdesin korridoreve të klinikave dhe për shkak të vjedhjes së terapive, këta dalin dhe thonë se duhet të ketë përgjegjësi. E kush duhet të përgjigjet? Në këtë rast përgjigjen e jep thënia popullore “peshku krimbet nga koka” dhe kur qeveria është e korruptuar nga koka deri te këmbët, nuk mund të ketë përgjegjës më të mëdhenj se kryeministri dhe ministri i Shëndetësisë”, u shpreh Bilall Kasami, kryetar i Lëvizjes Besa.
Lëvizja Demokratike thotë se në shtetet normale për rastet e këtilla kabinetet qeveritare japin dorëheqje të parevokueshme.
“Është momenti i fundit që organet kompetente, përkatësisht Ministria e Punëve të Brendshme dhe Prokuroria ta tregojë fytyrën e vërtetë dhe para drejtësisë t’i nxjerrin të gjithë fajtorët, sepse spitalet tona po bëhen qendra të vrasjes së njerëzve dhe jo qendra ku shpëtohet jeta. Pra, shëndetësia po rrënohet seriozisht. Fatkeqësisht, Qeverisë së LSDM-së dhe BDI-së që moti i ka ikur kontrolli, duke i lënë hapësirë veprave antinjerëzore dhe njerëzve të pushtetit që nuk ngopen duke vjedhur e abuzuar në çdo anë…”.
BDI-ja fton institucionet që hetime të tilla të zhvillohen edhe në klinikat dhe institucionet tjera dhe që rasti të mos politizohet”, thonë nga Lëvizja Demokratike.
“BDI përkrah tërësisht aksionin e realizuar ditë më parë nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe Prokuroria dhe fton institucionet që hetime të tilla të zhvillohen edhe në klinikat dhe institucionet tjera. Bashkimi Demokratik për Integrim kërkon që personat përgjegjës të dalin para drejtësisë dhe mos të keqpërdoret për qëllime politike në momentin që vendi gjendet para një tjetër sfide të rëndësishme”, njoftojnë nga BDI.