Presidenti Pendarovski kërkon që të dënohen ata që kanë kryer krim në onkologji
Presidenti Stevo Pendarovski ka reaguar në lidhje me rastin në Klinikën e Onkologjisë, ndërsa thotë se është i tmerruar nga informacionet për dyshime për keqpërdorim të terapisë për pacientët me kancer. Sipas tij, sistemi shëndetësor ka dështuar, ka humbur besimi, dhe cilësia e trajtimit për të gjithë pacientët e ardhshëm është vënë në pikëpyetje.
STEVO PENDAROVSKI, PRESIDENT
“Informacioni i disponueshëm publikisht në lidhje me dyshimet për keqpërdorimin e terapisë për pacientët me kancer është tronditës dhe i tmerrshëm. Në vend që të ofrojë mbështetje dhe mbrojtje të plotë për ata njerëz që përballen me diagnozën më të vështirë, sistemi shëndetësor ka dështuar dukshëm, ka humbur besimin jo vetëm tek të sëmurët, por edhe cilësia e trajtimit të çdo pacienti të ardhshëm është vënë në pikëpyetje”.
Presidenti mirëpret veprimet e deritanishme të Prokurorisë Publike dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme për të zbardhur plotësisht këtë aferë të madhe. Ai bën thirrje për përfundimin e shpejtë dhe efikas të hetimeve dhe procedimeve gjyqësore-prokuroriale, pa selektivitet dhe dënim të duhur për të gjithë ata që do të vërtetohen se kanë kryer vepra të rënda kundër shëndetit të njerëzve.
STEVO PENDAROVSKI, PRESIDENT
“Është koha e fundit që sistemi të konfirmojë se jemi të aftë në praktikë dhe jo vetëm me fjalë, të përballemi me format e rënda të krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe t’i japim fund kulturës së mosndëshkimit të shkeljeve të rënda të ligjit. Ne nuk do të jemi kurrë një shoqëri e vërtetë evropiane me procese gjyqësore të zgjatura dhe mungesë të përgjegjësisë personale. Për një shoqëri të shëndoshë na duhet një shtet ligjor në praktikë, jo në letër”.
Mediat zbuluan se personeli mjekësor në Klinikën e Onkologjisë në Shkup i kanë vjedhur ilaçet e pacientëve me kancer dhe të njëjtat i kanë shitur në treg të zi me çmime shumë më të shtrenjta, ndërsa pacientëve në vend të ilaзeve i kanë dhënë tretësirë fiziologjike. Gjashtë muaj pas alarmit të mediave, prokuroria dhe policia bastisën klinikën dhe dy shtëpi private nga ku morën dokumente.