Universiteti i Tetovës ka qenë dhe vazhdon të ngelet kryevepra më e përsosur
Prof. Dr. Vullnet Ameti
Gjatë jetës kam kuptuar se është një detyrë shumë fisnike të punuarit në arsim. Penduli i historisë sa para-mbrapa, gjithmonë orientimin e ka gjetur pikërisht aty – te arsimi.
Për më shumë së tri dekada kam shkrirë gjithë potencialin tim intelektual pikërisht në arsim dhe gjatë viteve kam parë se sa breza janë formësuar dhe edukuar në këto institucione të shenjta.
Episodi që e ka bërë akoma më sfidues këtë rrugëtim ka qenë dhe vazhdon të ngelet të punuarit në Universitetin e Tetovës, aty ku jo vetëm se formësohet studenti në aspektin profesional, por për më tepër, aty studenti formon vetëdijen kombëtare, aty mësohet se si të ruhet dhe mbahet gjallë kujtesa historike, sepse kjo mirëqenie që sot ata e gëzojnë ka pasur çmim të lartë.
Kjo vlerë kombëtare ka qenë dhe vazhdon akoma dhe sot të ngelet e atakuar në shumë plane. Për këtë kryevepër ranë dëshmorë, andaj historia dhe emri i Abdylselam Eminit i shkrirë edhe te Flakadani i Kujtesës i cili u kushtohet pishtarëve të arsimit shqip mëtohet të tregohet dhe të mbahet gjallë ndër breza.
Universiteti i Tetovës ka qenë dhe vazhdon të ngelet kryevepra më e përsosur, ndërkaq kryeprotagonisti i kësaj kryevepre Prof. Dr. Fadil Sulejmani qëndron si busullë orientuese për çdo student. Të rrallë janë njerëzit që marrin mbi vete barrën për të ndryshuar fatin e një shoqërie.
I tillë ishte roli i rektorit të parë dhe historik të Universitetit të Tetovës Prof. Dr. Fadil Sulejmanit i cili shpesh në qarqe intelektualësh cilësohet edhe si Mandela i shqiptarëve, sepse me kohë e kishte kuptuar filozofinë e Mandelës se “arsimi është arma më e fuqishme që mund të përdoret për të ndryshuar botën” ndërkaq nderi i letërsisë franceze Viktor Hygoi me stilin e tij epik dhe lirikën e paarritshme konsideronte se “kush hap dyert e një shkolle, mbyll dyert e një burgu”… Edhe pse misioni i tij shpesh ka hasur në disonancë intelektualësh karshi zhvillimeve të kohës, përsëri nuk u zbraps nga këto ideale.
Si në përpilimin e Monografisë, ashtu edhe në çdo datë të shënuar, shpesh më bie për hise ta luaj rolin e narratorit dhe në prag të 1 shtatorit me fotografi që vlejnë sa 1000 fjalë dua të potencoj faktin se studenti ka qenë epiqendra e gjithë të arriturave tona, madje që nga viti 2012 me vendim të Senatit të Universitetit të Tetovës për çdo vit akademik radhazi kemi liruar nga pagesa disa kategori të studentëve edhe atë: studentë që rrjedhin nga familje dëshmorësh, studentë të prekur nga dëmet e fatkeqësive natyrore, studentë pa prind, pjesëmarrës në konfliktin 2001 (ish-ushtarë të UÇK-së) dhe prioritet të veçantë u është kushtuar studentëve që gëzojnë sukses të lartë gjatë studimeve- EKSELENTËVE.
Gjatë një dekade më shumë se 1300 studentë kanë përfituar nga kjo bursë. Kjo FUQI rinore, ky TRU dhe kjo AJKË e re intelektualësh e krijuar pikërisht nga Universiteti i Tetovës dëshmon se koha nuk e hijeson vizionin por e gjallëron, sepse ndonjëherë nuancat janë aty, por presin vite derisa koha të krijojë ngjyrën e tyre dhe në këtë vijë logjike u desh të kalohet një kalvar i gjatë dhe i vështirë derisa të piqeshin kushtet ekonomike që të realizohej kjo ëndërr e imja e kahmotshme dhe ky vendim, do të ngelet një ndër vendimet për të cilin jam pafundësisht krenar.
Ky standard dhe kjo traditë 10-vjeçare përbën një ndër aktivitetet më të veçanta për nga rëndësia, që duhet të vazhdojë edhe në të ardhmen sepse mes tjerash Universiteti i Tetovës është i vetmi universitet në vend që ndan bursa edhe për studentët e ciklit të dytë, megjithëse këto studime për nga natyra cilësohen si studime kryesisht me vetëfinancim të plotë.
Kjo traditë mëton të japë mesazh sublim se ne si institucion kemi hedhur gjithmonë një hap para në ndërtimin e së ardhmes sonë të përbashkët, sepse Universiteti i Tetovës është një amanet që të gjithë së bashku duhet ta bartim brez pas brezi, përgjithmonë.
Me të drejtë e kishte atdhetari i shquar Sami Frashëri kur shprehej: “Nëse do të mbjellësh për një vit, mbill misër e grurë. Nëse do të mbjellësh përgjithmonë, mbill arsim e kulturë.”
Me këtë shkrim nuk mëtoj të himnizoj realitetin por sintetizoj faktin që nuk ka pasur, nuk ka dhe nuk do të ketë sulm që nuk do të dështojë karshi ideologjisë së Prof. Dr. Fadil Sulejmanit.
Urime për vitin e ri akademik çdo nxënësi dhe studenti të së ardhmes!