Maqedoni

AlternAtivA kërkon të dislokohet deponia në Nikushtak: Premtuan Agjendën e Gjelbër, po na ngulfatin në tym (VIDEO)

Deputetja e zonës nga rradhët e Alternativës Safije Sadiku Shaini ka mbajtur një press konferencë në lidhje me nevojën për diskolim urgjent te deponisë në fshatin Nikushtak.

Ajo rikujtoi se deponia e egër që është krijuar afër fshatit Nikushtak, Orllancë dhe Grushinë, tashmë 23 vjet po i helmon banorët e kësaj ane. “Përkundër faktit se në Këshillin Komunal të Komunës së Likovës është votuar dislokimi i kësaj deponie, ku edhe këshilltarët tanë kanë votuar dhe janë angazhuar për këtë qëllim, e vërteta e dhimbshme është se kjo deponi ka mbetu këtu, ndërsa pushteti lokal i BDI-së në Komunën e Likovës dhe shokët e tyre në pushtetin qendror, nuk e kanë bërë as edhe një hap më shumë në terren.
Përveçse një prej ndotësve më të mëdhenj, kjo deponi është shndërruar në rrezik potencial edhe për qytetarët që e shfrytëzojnë rrugën për komunikacion që kalon përmes deponisë. Para ca ditësh, pikërisht për shkak të tymit të shkaktuar nga djegia e mbeturinave të kësaj deponie, ndodhi një aksident komunikacioni, fatmirësisht pa pasoja të rënda, por kjo na bën të pyesim se a duhet të presim raste fatale që të vijmë të qajmë këtu?”, pyeti deputetja Sadiku Shahini.

Si deputete e kësaj zone, por edhe si nënkryetare e Alternativës, ajo ka shprehur indinjatën e thellë ndaj indiferencës së kësaj qeverie, ku bën pjesë edhe partia shqiptare BDI, e cila e kaloi një fushatë duke trumpetuar me flamur të gjelbër, ndërsa gjelbërimin e bëri nocion të panjohur për shqiptarët.

“Për fat të keq, jo më pak faj kanë edhe autoritetet e Komunës së Likovës, që para dy viteve premtuan ndërtimin e një muri rrethues në këtë deponi, por – siç e shihni – ende nuk ka asgjë prej këtij projekti, edhe pse as kjo nuk do ta zgjidhte problemin. E kur jemi të premtimet, nuk ka kaluar fushatë që BDI-ja nuk ka ardhur në zonën tonë të premtojë ndërtimin e një deponie rajonale për menaxhim me mbeturina, ndërsa kanë kaluar 23 vjet dhe le që nuk ka asgjë nga ai premtim, por kjo gjendje ka ardhur vetëm duke u përkeqësuar. Në fakt, sa më shumë që BDI-ja premton gjelbërim, aq më shumë shtohen deponitë e egra në vendbanimet shqiptare, gjë që na bind se ata nuk e kanë mendjen te ajri i pastër, por vetëm te tenderët e ndytë.

Sidoqoftë, AlternAtivA i bën thirrje kësaj qeverie, por edhe pushtetit lokal, që qeveriset nga bashkëpartiakë të partisë në pushtet, që urgjentisht dhe pa asnjë shtyrje të ndërmarrin masa dhe ta dislokojnë këtë deponi, në mënyrë që – duke e pastruar këtë ndyrësirë – ta pastrojnë sado pak edhe fytyrën e tyre para qytetarëve të Komunës së Likovës. Në të kundërtën, për çdo pasojë që do të vijojë nga prania e kësaj deponie në këtë zonë, fajin do ta kenë ata dhe vetëm ata.
Kujtojmë këtu se megjithatë zgjedhjet janë së shpejti dhe qytetarët e Komunës së Likovës duhet ta mbajnë mend se kush i ka lënë për 23 vjet rresht në këtë gjendje, duke u përgjigjur më së miri me votën e tyre. Lajmi i mirë në këtë fatkeqësi është se koha e tyre për të na e nxirë jetën po skadon dhe ka mbetur edhe pak deri në ndryshimin e shumëpritur që po afrohet”, theksoi deputetja Sadiku Shahini.