Maqedoni

Komisioni Europian kundër Michel për zgjerimin e BE-së deri në vitin 2030, nuk tregojnë më herët apo më vonë!

Komisioni Europian ka kundërshtuar sot objektivin e Charles Michel për zgjerimin e Bashkimit Europian deri në vitin 2030.

Kreu i Këshillit të Europës, Charles Michel deklaroi të hënën në samitin e Bledit në Slloveni, ku të pranishëm ishin edhe liderët e shteteve të Ballkanit, se BE-ja duhet të anëtarësojë vende të tjera deri në vitin 2030.

Por në një deklaratë të sotme, zëdhënësja e Komisionit Europian, Dana Spinant, tha se Michel nuk ishte konsultuar me Presidenten e KE Ursula Von Der Leyen për përmbajtjen e fjalimit të tij që kishte të bënte me zgjerimin e BE-së.

“Ne nuk jemi të fokusuar tek data, por të fokusuar në punën e ngushtë me vendet kandidate që përgatiten për t’ju bashkuar BE-së”, tha zëdhënësja e KE.

Spinant këmbënguli se zgjerimi i BE është një proces i bazuar në merita dhe se vendet kandidate do të lejohen të anëtarësohen pasi të kenë përmbushur kërkesat e BE.

Kjo duket se është mosmarrëveshja e re në publik mes Von Der Leyen dhe Charles Michel që drejtojnë dy institucionet kryesore të Bashkimit Europian.

Disa vende të Ballkanit presin prej vitesh anëtarësimin në BE, ndër to edhe Shqipëria që ka marrë statusin e vendit kandidat.

Në muajin Tetor pritet të mbahet një tjetër samit mes udhëheqësve të BE-së për të diskutuar pikërisht për zgjerimin e unionit. /tvklan.al