Opinion

A është i mundur deserbizimi i politikës së Maqedonisë së Veriut!?

Nga Naser Selmani

Nuk është gabim të thuhet – madje nuk është e vështirtë edhe të dëshmohet – se establishmenti maqedon ishin dhe mbetën ‘vëllai i vogël’ i serbëve dhe se Beogradi ishte dhe mbeti kryeqytet politik i Maqedonisë së Veriut pothuajse po aq sa edhe i Serbisë.

Pastaj nuk është e panjohur se nga gjitha shtetet e dala nga ish federata Jugosllave, Maqedonia e Veriut më së shumti e ka trashëguar ADN-në e ‘nënës’ jugosllave, kështu që edhe gjatë viteve të demokratizimit të saj ajo ndërtohet sipas formulave që mbanin në këmbë federatën e Titos, pra nëpërmjet trillimit të armiqve të natyrshëm të saj – shqiptarët dhe bullgarët dhe vëllezërit e natyrshëm të saj – serbët.

Pra edhe sot Maqedonia e Veriut nuk është çliruar nga kthetrat e koncepteve serbe të cilët assesi nuk e lejojnë Shkupin zyrtarë të shkëputet nga ndikimi serbo-rus dhe të arrijë pajtueshmëri me Sofjen lidhur me të shkuarën e përbashkët dhe të sotmen e tyre të mbushur me përplot mosmarrëveshje.

Së fundmi edhe Kryeministri i Maqedonisë së Veriut – Dimitar Kovaçevski, pat përmendur se një deputet i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut ishte pjesë e shërbimit sekret jugosllav dhe policisë UDBA.

Dhe do ishte mirë sikur ky të ishte rast i vetëm, por ka të dhëna që dëshmojnë se shume nga institucionet shtetërore të Maqedonisë së Veriut janë nën ndikimin politik të Beogradit, ndikim që bënë çmos këtë shtet ta largojë nga rruga auro-atlantike. Jo rastësisht Beogradi refuzon kërkesën e përsëritur të Këshillit të Evropës për hapjen e dosjeve të shtetit jugosllav sepse dëshiron të përdor rrjetin e agjenturës për të ndikuar në vende fqinje, veçanërisht në Maqedoninë e Veriut, Kosovë dhe në Bosnjë.

Duke qenë se gjatë tri dekadave të shkuara Maqedonia e Veriut u demokratizua duke mbetur e ndikuar nga politika serbomadhe thuajse njësoj sa edhe gjatë socializmit, shtrohet pyetja sa është e mundur çlirimi i politikës maqedone nga mendësia politike serbe dhe pse pjesa më e madhe e elitave të këtushme maqedonase nuk mund të çlirohen nga ndikimi i Beogradit?

Por sidoqë të shkojnë punët me çlirimin e Maqedonisë së Veriut nga mendësia politika serbomadhe, shqiptarët në të duhet të bëjnë atë që u takon atyre: t’i pastrojnë librat e vetë të historisë nga fryma ‘jugosllave’ në to. Frymë e cila mbi të gjitha i ka fshirë të vërtetat që kanë të bëjnë me bashkëpunimin e shqiptarëve me popujt tjerë të Ballkanit, e kryesisht me popullin kroat dhe atë bullgarë.

Dhe për ta pastruar historinë e vet nga ndikimi i shkollave të Beogradit, historianët duhet t’i zbulojnë dhe rilexojnë dokumentet që kanë lënë pas vetes rilindësit shqiptarë dhe ata bullgarë, me çka do ta dëshmojnë të vërtetën, për shembull, se gjatë regjimit okupuese të Serbisë dhe Greqisë në kuadrin e peripecive të Luftës së Parë Ballkanike, vuajtjet e përbashkëta e kanë forcuar idenë se shpëtimi i bashkëkombësve të tyre nga terrori, masakrimi, shpërngulja, asimilimi për shkak të veprimeve të pushtuesve të rinj serb, mund të ndodhë vetëm përmes bashkimit të forcave bullgare dhe shqiptare.

Pastaj të dhënat historike do ta shpalosin të vërtetën se kontaktet e para ndërmjet përfaqësuesve shqiptarë dhe atyre bullgarë u vendosën në fillim të vitit 1913, kur kryetari i delegacionit bullgar në Konferencën e Paqes në Londër, Stojan Danev dërgoi një telegram në Sofje, ku njoftoi për takimin e tij me Ismail Qemalin dhe kërkesën e tij për ndihmë nga Bullgaria.

Dhe sipas disa të dhënave, del se takimet e Ismail Qemalit me përfaqësues diplomatikë bullgarë kanë vazhduar edhe më vonë. Dhe ato kanë rezultuar me bashkëpunim konktret mes dy popujve për çka, sipas historianëve bullgarë, Ismail Qemali u deklaron Bullgarëve: “Në Ballkan… ne (shqiptarët) nuk kemi ndonjë shtet tjetër, të cilit do t’ia shtrijmë dorën pa dyshime, përveç Bullgarisë… Ah, po ta dini me çfarë gëzimi do ta pranonim lajmin për një luftë midis jush dhe serbëve dhe, me çfarë lumturie dhe ashpërsie do të luftonim krah për krahë me ushtritë tuaja trime!… Por, në qoftë se, do të ndodhte ndarja e Vilajetit të Manastirit ndërmjet Serbisë dhe Greqisë, gjendja jonë do të keqësohej tepër. Pa një dritare ndërmjet nesh, gjendja jonë bëhet fatale …”
Duke shkuar gjurmëve të këtyre pohimeve të historianëve bullgarë. mbase edhe do ta kuptojmë pse edhe sot e kësaj dite Serbia bënë çmos që t’i armiqësojë shqiptarët e bullgarët shpeshherë edhe duke publikuar ‘dokumente’ për mosmarrëveshjet mes këtyre dy popujve.

Pra, frika nga bashkëpunimi i natyrshëm mes shqiptarëve dhe bullgarëve e ka nxitur Serbinë të bëj çmos për ta instaluar mendësinë politike serbe në polikën shtetërore të Maqedonisë së Veriutsi dhe për ta penguar çlirimin e saj nga ndikimi serb. Serbofili që ushqehet me atntishqiptarizëm dhe antibullgarizëm.

Por pra, duhet shpalosur të gjitha argumentet që i argumentojnë përpjekjet për aleancat bullgaro-shqiptare, përpjekje që kanë vazhduar edhe pas Luftërave Ballkanike. Dhe sipas historianëve bullgarë, si rezultat i këtyre përpjekjeve, në gusht të vitit 1913, mes përfaqësuesve të VMORO-s dhe revolucionarë shqiptarë me në krye, Sefedin Pustinën dhe Aqif Pasha Biçakun, është arritur marrëveshje për organizimin dhe ngritjen e një kryengritjeje të përbashkët kundër regjimit serb në rajonin e Dibrës, të Tetovës, e të Strugës.

Siç duhet shpalosur edhe dokumentet sipas të cilëve del se në vigjilje të përfshirjes së Bullgarisë në Luftën e Parë Botërore, një rol të madh i ishte kushtuar Divizionit XI Këmbësor Maqedonas, e që ka të bëjë edhe me bashkëpunimit me shqiptarët. Aradhat e këtij divizioni kishin marrë pjesë në shpartallimin e trupave serbe në Maqedoninë e Vardarit. Dhe rëndësi të madhe i ishte dhënë Detashmentit Partizan, formuar nga vojvodë dhe komitë në kuadër të këtij divizioni. Në këtë detashment ishin inkuadruar shumë revolucionarë të VMORO-s, që kishin kontakte të shumta me atdhetarë shqiptarë dhe funksionet, që i kishin kryer dhe përgjegjësitë me të cilat ishin ngarkuar, kanë qenë të ngjashme me ato gjatë Luftërave Ballkanike – përballje me diversionet serbe.

Në kuadër të këtyre të vërtetave historianët shqiptarë do të duhej të qartësojnë edhe urdhërin e dhjetorit të vitit 1916, të komandantit të Detashmentit Partizan, kolonel Aleksandër Protogerov, i cili thotë: “E publikoj listën me vullnetarët bullgarë nga rajoni i Kosturit, që regjistrohen në Detashmentin Partizan të toger Lefterovit, edhe listën e vullnetarëve shqiptarë. Të gjithë ata të regjistrohen për ushqim nga datat e shkruara në listë” . Domethënë se së bashku me urdhrin kishte dhënë edhe listën me vullnetarët shqiptarë, ku ishin përfshirë fillimisht 344 emra. Prej këtyre 11 e kishin gradën nënoficer të lartë, 44 rreshterë, 2 nëntogerë dhe 287 ushtarë.

Dhe sot kur Shkupi dhe Sofja zyrtare përballen me mosmarrëveshjet e tyre nga e shkuara, historianët shqiptarë do duhej të qartësojnë pse rilindasit shqiptarë në shkrimet e tyre e kanë përdorur emërtimin “maqedon” në disa kuptime: në kuptimin gjeografik, pra secili banor i kësaj krahine ka qenë “maqedon”, pavarësisht përkatësisë së tij etnike dhe në raste specifike për maqedonët e lashtë që nuk kanë asnjë lidhje me etninë bullgare në këto troje nga mesjeta deri tani. Si dhe pse deri para luftës së Dytë Botërpre askund nuk është përdorur nocionin “maqedon/as” me kuptimin etnik.

Duke i bërë qartësimet e kësaj natyre, duke e ndriçuar të shkuarën e marrëdhënieve të popujve të Ballkanit, shqiptarët e sotëm shumë më lehtë do ta kuptojnë pse edhe ata kanë nisur ta pranojnë në këto hapësira se Beogradi është qendra e vetme me ndikim në rajon. Siç do e kuptojnë se edhe sot e kësaj dite, Serbia investon shumë për të përhapur propagandën e saj për Ballkanin dhe popujt e rajonit.. Ajo ushtron ndikim të madh duke financuar media shqiptare të kudondodhura nëpër trojet shqiptare.

Duke dalë jashtë ndikimit serb – që na mban brenda të vërtetave të sajuara për ne e të tjerët në Beograd – ne shqiptarët do ta kuptojmë se pronarë të së vërtetës për atë që ka ndodhur dhe që është duke ndodhur janë ata që shkruajnë për të dhe që e zbardhin atë. Do ta kuptojmë se duke qenë që ne shqiptarët nuk kemi shkuar gjithaq shumë përtej arkivave dhe të vërtetave serbe, edhe na ka ndodhur që veten tonë përball popujve tjerë të Ballkanit ta shohim me dioptrinë e mendësisë serbe.
Fund