Opinion

Murati: Nga i gjithë Ballkani, po kafshohen vetëm kufijtë e kombit shqiptar

Nga Shaban Murati

A nuk është tragjike dhe e çuditëshme që nga i gjithë Ballkani vetëm kufijtë e kombit shqiptar po kafshohen, si në Veri nga Serbia, ashtu dhe në Jugë nga Greqia. Akoma më tragjik është fakti që, ndërsa në Konferencën e Londrës të vitit 1913 kufijtë na i ndanë pa i pyetur fare shqiptarët, tani 105 vjet më pas po na i kafshojnë kufijtë me implikimin dhe konsensusin e udhëheqësve shqiptarë. Shikoni ku i kanë pasur kufijtë shtetërorë Serbia dhe Greqia, kur u shpallën shtete të pavarura, dhe shikoni ku i kanë sot dhe sa i kanë zgjeruar me territore shqiptare. Ky proces regresiv historik po ringjallet në ditët tona, por tani nuk na e kanë më të huajt fajin, sepse po e bëjmë me duart e udhëheqësve tanë. Në vitin 1913 nuk na pyetën, por të paktën nuk u tallën me shqiptarët. Në vitin 2018 po na tallin, duke thënë se shqiptarët po bëjnë mirë që po japin kufij e territore, sepse po fitojnë medaljet e kampionëve të integrimit ballkanik, të modernit dhe të modelit ballkanik. Dhe natyrisht të idiotit ballkanik, që po u ngjan afrikanëve të kohës së pushtimeve koloniale, të cilët rreheshin nga xhixhat, që u dhuronin kolonizatorët, dhe në shkëmbim u jepnin territoret. Xhixhat, në të gjitha kuptimet që ka kjo fjalë, po i marrin tani udhëheqësit shqiptarë. Shqiptarët nuk duhet të udhëhiqen nga fanatizmi në marrëdhëniet ndërkombëtare. Aleatit, kushdo qoftë ai, i ofrohet gjithçka, me përjashtim të lirisë së atdheut dhe tërësisë territoriale të atdheut. Në këto dy parametra çdo aleancë vdes dhe merr emër tjetër. Për ironi historike kafshimi i kufijve po ndodh në vitin e Skënderbeut, të cilit nuk i përkujtojmë mbrojtjen e kufijve dhe të territoreve kombëtare, por merremi me rekuizitën teatrale të mesjetës dhe po grindemi se në cilin nga dhjetë katundet pretenduese ka origjinën Skënderbeu, se në cilin nga dhjetë katundet pretenduese ka bërë dasmën e gruas Skënderbeu dhe në cilën gërxhe apo skërkë ka qenë kunji, ku ka lidhur kalin Skënderbeu. Është harrruar me dashakeqësi tribale Kruja e Skënderbeut, simboli dhe kryeqyteti i tij, ku lindi, luftoi, krijoi shtetin shqiptar, u martua, u trashëgua dhe vdiq Skënderbeu. Është harruar “qyteti i bekuar” i Naim Frashërit, dhe udhëheqësit shqiptarë entusiazmohen me xhixhat e fqinjve lakmitarë, të cilët po na shkulin gardhet dhe nesër do të na marrin edhe shtëpitë. Një popull, që ka harruar të luftojë për kufijtë, pa le më të vdesë për kufijtë, dhe që është gati të japë jetën për bajraktarin e partisë dhe të tribusë, nuk meriton të ketë as shtet e as komb. Është kohë për alarm kombëtar!