Rreth 20-të doktorë shkencash dhe pothuajse 600 magjistra janë të papunë në RMV
Sipas të dhënave më të fundit të Agjencisë për Punësim të Republikës së Maqedonisë së Veriut (APRMV) aktualisht të papunë janë 599 magjistra dhe 20 doktorë shkencash. Përveç kësaj, sipas shifrave, në vendin tonë edhe 6.820 persona me arsim të lartë janë në pritje të punësimit, shkruan Meta.mk.
Nga APRMV informojnë se nga magjistrat e papunë, sipas fushës në të cilën kanë magjistruar, më të shumtët janë ata të profilit magjistër i shkencave juridike, magjistër i shkencave ekonomike, magjistër i administrimit të biznesit, magjistër inxhinier arkitekt, magjistër i farmacisë, magjistër i shkencave politike, pastaj magjistër i menaxhimit të marketingut, magjistër i shkencave të psikologjisë, magjistër i marrëdhënieve ndërkombëtare dhe profile të tjera të magjistrave të papunë.
“Nga personat e papunë – doktorë shkencash, në evidencën e personave të papunë janë regjistruar doktorë të shkencave ekonomike, doktor të shkencave politike, doktorë të shkencave informatike, pastaj doktorë të shkencave të shëndetit publik, doktorë të shkencave në fushën e sigurisë, doktorë të shkencave të çështjeve juridike, doktorë të shkencave filologjike, doktorë të shkencave të çështjeve sociale dhe politikës sociale, doktorë të shkencave të pedagogjisë dhe të profileve tjera”, bëjnë të ditur nga atje.
Në pritje të punësimit, personat e papunë udhëzohen të marrin pjesë në trajnime për të përvetësuar njohuri dhe shkathtësi shtesë, ndërsa punëdhënësit motivohen të organizojnë trajnime në vendet e tyre të punës, me pajisjet dhe teknologjinë e tyre, për t’i trajnuar kandidatët potencialë për punësim sipas nevojave të tyre.
Në të kaluarën trendi i rritjes së numrit të të papunëve me tituj në Maqedoni ishte shumë i shpeshtë. Kështu, në dhjetor të vitit 2018 është shënuar numër rekord i personave të papunë me tituj shkencorë, gjegjësisht në atë kohë të papunë kanë qenë 33 doktorë të shkencave dhe 866 magjistër të shkencave.