Këshiltari i kryeministrit Kurti: Marrëveshjet Kosovë-Maqedoni kanë ngecur, vizita në Shkup e Tetovë kishte për qëllim t’i nxisë ato
“Z. Kurti, gjatë vizitës njëditore në Shkup dhe Tetovë, pati tre paraqitje publike: në Çair, në fshatin Vicë dhe në Sheshin Iliria në Tetovë. Në asnjë paraqitje publike nuk mund të gjejmë asnjë deklarim, asnjë gjest, asnjë frazë armiqësore ndaj Maqedonisë së Veriut, por përkundrazi, ai vlerësoi lart raportet e shkëlqyera midis dy vendeve”.
Kjo është përgjigja që ia dha TV21 këshilltari i kryeministrit të Kosovës për RMV Bekim Qoku, pasi kërkuam qëndrim nga kabineti i kryeministrit Albin Kurti rreth zhvillimeve e reagimeve pas vizitës së tij në Maqedoninë e Veriut. Për shkak të mosintonimit të himnit të RMV-së dhe modpërdorimit të flamurit shtetëror, ndaj dy kryetarëve të Komunave nikoqire, atij të Çairit Visar Ganiu e të Tetovës Bilall Kasami pati kallëzime penale nga policia.
Këshilltari Qoku rikujton se vizita e kryeministrit të Republikës së Kosovës Albin Kurti në Maqedoninë e Veriut u realizua me ftesë të kryetarëve të komunave Tetovë dhe Çair dhe se kjo nuk është vizita e parë e Kurtit në MV, sepse siç shton, Kurti ka ardhur shumë shpesh si kryeministër, por edhe si kryetar i LVV.
“Ftesa që pati nga kryetari i Komunës së Çairit z. Visar Ganiut ka qenë me rastin e emërtimit të një rruge në Çair me emrin Adem Demaçi. Të kujtojmë se Adem Demaçi është laureat i çmimit Saharov që e jep Parlamenti Europian. Ai këtë çmim e pranon në dhjetor të vitit 1991, tre muaj pas pavarësimit të Maqedonisë së Veriut nga ish Jugosllavia. Parlamentit Europian konsideron se “Mandela i Ballkanit” jetën e tij ia kushtoi nxitjes së tolerancës dhe pajtimit etnik në Kosovë. E njëjta frymë duhet të mbisundojë ende sot në Maqedoninë e Veriut. Qyteti i Shkupit duhet të ndjehet i nderuar që një nga rrugët e tij mban emrin e një figure të vlerësuar nga parlamenti më demokratik i botës. Adem Demaçi ka pranuar edhe titullin Honoris Causa nga Universitetit i Tetovës” shprehet Qoku në përgjigjen me shkrim.
Më tej këshilltari i Kurtit për Maqedoninë e Veriut shprehet se në vazhdën e vizitave të kryeministrit të Kosovës është mbledhja e dy qeverive në Shkup, midis asaj të Kosovës dhe të Maqedonisë së Veriut. Në këtë mbledhje të rëndësishme janë nënshkruar plot 11 marrëveshje, thotë Qoku.
“Është shumë e rëndësishme të theksojmë këtu që dy nga marrëveshjet e nënshkruara midis dy qeverive dhe që kanë të bëjnë edhe me vizitën e z. Kurti në Komunën e Tetovës janë ajo për studimin e fizibilitetit për rrugën Tetovë – Prizren, si dhe marrëveshja për bashkëpunim në mes qendrave turistike Kodra e Diellit dhe Brezovica. Nga ky nënshkrim kanë kaluar dy vjet dhe gjërat kanë mbetur fatkeqësisht në vend. Kjo vizitë, pra, është mbi të gjitha për të nxitur e përshpejtuar atë për të cilën janë marrë vesh dy kriministrat, z. Kuri dhe z. Zaev”, përfundon këshilltari i kryeministrit të Kosovës për Maqedoninë e Veriut, Bekim Qoku.