Si u dogjën 14 pacientë në spitalin e Tetovës? IRL zbulon detaje të reja!
Një dokumentar hulumtues i Laboratorit të Reporterëve Hulumtues IRL hetoi dhe zbuloi se si u ndërtuan spitalet modulare në mbarë Maqedoninë e Veriut, përfshirë atë në Tetovë, i cili u dogj deri në themel me 14 pacientë të djegur gjallë, një tragjedi e rëndë që ndodhi më 8 shtator të 2021, përcjell INA.
Dokumentari zbardh shumë prapaskena se si hetimet nuk kanë qenë të plota, anashkaluese për zyrtarë të lartë dhe kompaninë që ishte përgjegjëse për ndërtimin e spitaleve modulare.
Ministria e Vetëqeverisjes Lokale kishte anuluar tenderin për këto spitale për shkak të parregullsive. Por, pas kësaj, Ministria e Shëndetësisë me në krye ministrin Venko Filipçe merr gjitha kompetencat dhe shpall tenderin e njejtë me të njejtat specifikime dhe nga personi që ka bërë specifikimin teknik, dhe bëhet fjalë për person që nuk ka pasur licencë. Personi i implikuar është një inxhiniere ndërtimi, e cila pas angazhimit në kabinetin e ish-ministrit Venko Filipçe, është punësuar në kompaninë Brako që kishte vendosur kontejnerët si spitale modulare.
IRL arrin të siguroj dokumente të tenderëve, ku vërtetohen shumë lëshime dhe shkelje ligjore. Denoncuesit arrijnë ti japin dokumente gazetarëve, derisa institucionet nuk kanë bërë një gjë të tillë. Këtu përfshihen dokumente dhe raporte të ekspertëve gjerman, që nuk u përfillën gjatë hetimeve.
Sipas IRL, spitali modular nuk ishte i pajisur me kabllot dhe prizat e duhura. Ata shtojnë se nuk ka raportim për rrymën që është kryer në objektin konkret të djegur në Tetovë. Shtojca tregon se si në momentin e zjarrit ka pasur ende rrymë në central, gjë që tregon se pavarësisht zjarrit të madh – siguresat nuk janë shkyçur. Një ekspert që flet në dokumentar tregon se nëse siguresat do të ishin fikur në kohë kur ka ndodhur lidhja në kabllon zgjatuese, zjarri nuk mund të kishte ndodhur.
Disa nga spitalet modulare, përfshirë edhe atë të djegur në Tetovë, janë ndërtuar nga kompania “Brako” e ish-zëvendëskryeministrit për çështje ekonomike Koço Angjushevit, që ishte pjesë e Qeverisë së Zoran Zaevit. Dokumentari flet edhe për atë pjesë të dokumentacionit të ndërtimit, që janë evidentuar shumë mangësi. Në procesin gjyqësor janë zbuluar shumë mangësi, dhe se në fund nuk kishte asnjë akuzë për shkaqet e zjarrit. Pas një procesi gjyqësor me disa seanca të prolonguara në fund u shpallën fajtor ish-drejtori i spitalit të Tetovës, Florin Besimi që u dënua me 1 vit e 6 muaj burg me kusht, po ashtu 1 vit e 6 muaj me kusht edhe ish drejtori ekonomik – Artan Etemi, që do të thotë se ata nuk do të vuajnë dënim me burg nëse për 3 vjet nuk kryejnë vepër të re penale. Mjeku përgjegjës për qendrën e Kovidit – Boban Vuçevski u lirua nga akuza. Ndërkaq, Spitali i Tetovës mori dënim prej 1 milion denarësh të cilin duhet ta paguaj brenda 30 ditëve, Ky është vendimi i Gjykatës së Tetovës për rastin e zjarrit në spitalin modular të Tetovës ku jetën e humbën 14 persona.Ky është vendimi i shkallës së parë për këtë çështje dhe ka mundësi që mbrojtja apo prokuroria të ankohen në Gjykatën e Apelit./INA