Opinion

Bajrami: Opozitarët e sotëm, dje ishin kundër bashkimit dhe nesër do të rikthehen në BDI

Shkruan: Bujar Bajrami

Të kujtojmë kohën kur LRPDSH-ja ishte ideatori i krijimit të frontit opozitar, pa mos e përjashtu edhe Besën, e cila asokohe nuk pranoj ti bashkohej asaj ideje, madje e sulmonte ashpërsisht idenë e krijimit të frontit opozitar. Refuzimimin e bënë duke krijuar të ashtuquajturin Këshilli Mbipartiak i cili udhëhiqej nga Kim Mehmeti dhe Arjanit Hoxha. Ky Këshill Mbipartiak plasonte teza kontradiktore politike me qëllim të krijimit të mjegullnajës politike, vetëm e vetëm që të minimizohej roli i LRPDSH-së (Ziadin Selës) në skenë. Rrjedhimisht, gjërat dihet ku shkuan. Dy parti u zhbënë, RDK-ja e Vesel Memedit i cili përfundoj si Ambasador në Vatikan. I shpërblyer nga BDI-ja për rolin e tij në kuadër të skenarit të përgjithshëm, për të kontrolluar empatinë politike në elektorat, që asokohe ishte duke e ndërtuar Ziadin Sela. E dyta Uniteti e cila u shpërbë, ku një pjesë u inkuadruan në Aleancën për Shqiptarët (ata që vërtetë i besonin idesë për krijimin e një fryme ndryshimi) dhe një pjesë tjetër (në krye me Gëzim Ostrenin) u kthyen në BDI duke u amortizuar mbrenda pushtetit që BDI-ja e kishte. Besa, e cila pengonte bashkimin e opozitës, nga kriza e madhe politike që pësoj me ndarjen në dy subjekte (AAA dhe Besa), filloj të kalkulojë për mbijetesën e vetë. Në mungesë të një lideri karizmatik, që në masë duket se është çelësi për ngritjen e suksesshme të një subjekti, ata vendosën të futen në lista të përbashkëta me LSDM-në për të shpëtuar veten nga zhbërja. Kjo aventurë atyre u solli 4 mandate deputetësh, përkundër forcës së tyre reale që ishte në dy deputet maksimum.
Tani, me zhvillimet e kohës së fundit (trumbetimi i një fronti opozitar) ideja ndonëse mund të duket e njëjtë, por nuk është e njëjtë. Skenar të cilin BDI e ka luajtur njëherë, tani vetëm ndryshojnë rrethanat dhe aktorët.
Unë vazndoj të mendoj (bindshëm) se krejt kjo maskaradë e ‘frontit opozitar’ nuk bëhet edhe pa kordinimin e BDI-së. Mbajeni në mend këtë që po ju them këtu. Pas zgjedhjeve, të gjithë mbështetësit e Izet Mexhitit do të kthehen në BDI, njëjtë do të veprojë edhe Izeti, vetëm se ai do të jetë në formë pasive, larg vëmendjes së publikut por me ndikim në grupacionet të cilat i menaxhon. Ashtu siç ndodhi me ‘Grupin e Zjarrit’ (të cilin shumë ‘intelektual’ e opinionist e deklaronin si një betejë reale) që u zhbë dhe pjesa më e madhe e tyre u kthyen sërisht në BDI, njëjtë do të ndodhë edhe me LD-në e Izet Mexhitit.
Hiç më ndryshe nuk është gjendja në Lëvizjen Besa, se për AAA nuk mendoj që ka ngelur ndonjë potencial sado i vogël politik për ti marë seriozisht. Kali i Trojës, që është mbrenda tyre, Fatmir Limani, i njëjti do të rikthehet në BDI pasi ‘filmi’ të ketë përfunduar sipas skenarit të shkruajtur nga ideatori i BDI-së. Është pak e vështirë, madje e pamundur, që të besohet në vërtetësinë e ‘dramës’ Nip-Dajë.
Ktejt kjo aventurë e ‘politikanëve’ me vello lokale që janë vërsulur pas krijimit të mitit dhe madhështisë personale, në fund do të jetë vetëm një fluskul uji. Një regji e VMRO-së dhe Mickovskit e cila në fund të ditës sërisht do të amortizojë çdo gjë të bërë e të thënë ndërmjet tyre, e në një moment do të ulen sërisht këmbëkryq me BDI-në dhe me të ashtuquajturin ‘front opozitar’.
Deri atëherë, do të shihni dramë të përzier me folklor nacionalist, se kush e don dhe kush e urren Adem Demaçin, kush e kërkon bashkimin e trojeve shqiptare e kush e kundërshton. Në fund, në heshtje do të konvertojnë çdo fjalë të thënë në një mendim tjetër se koha është shqiptarët të orientohen nga evropa dhe jo nga nacionalizma e cila shtyn në përcarje dhe në luftë. Tema të ezauruara prej kohe, që ashiqare vërehet që shpiken trokthi (dy ditë pas ardhjes së Kurtit në përurimin e rrugës së Adem Demaçit, mbahet Kuvendi themelues i Lëvizjes Demokratike të Izet Mexhitit). Një ‘kauzë’ duhet, një sebep po e po, një zhurmë me patjetër, se ndryshe nuk mer as vëmendje dhe as etablim në skenë nuk krijon dot.
Në krejt këtë cirk të madh politik, më kompakte, më idealiste dhe më konsistente, rezulton të jetë Aleanca për Shqiptarët. Aktivistët, mbështetësit, simpatizuesit dhe votuesit e saj duhet ta dijnë që ASH-ja ka strukturat e veta dhe vijën e saj politike që nuk mund askush ta luaj apo ta tjetërsoj sepse ajo është bindje, është ideologji dhe është frymë, për të cilën është derdhur edhe gjak. Ne, Aleanca për Shqiptarët, nuk jemi palë as me BDI-në dhe as me të ashtuquajturin ‘Front Opozitar’ fiktiv.
Ne jemi më vete, autentik dhe të pa lëkundur nga ideja, programi dhe platforma jonë politike. Secili që mendon të qëndrojë konsistent në bindjen se në këtë vend duhet të ndërtohet një sistem i ri vlerash, ti bashkangjitet rrugës tonë.
Respektojmë mendimin e secilit që nuk mendon si ne. Respektojmë vullnetin e secilit njeri që mbështet njërën apo tjetrën parti politike, por njëkohësisht duhet të ngrehet alarmi që shqiptarët nga ky cirk politik do të dalin edhe më të përçarë se sa që ishin.
Prandaj secili prej nesh duhet ta ketë në mendje atë që koha na ka mësuar, se ai që tradhëton njëherë, tradhëton përherë.