Aksion i përbashkët i policisë së Maqedonisë dhe Greqisë, kapet drogë në vlerë të 200.000 eurove
Policia e Maqedonisë së Veriut në bashkëpunim me policinë greke, mbrëmjen e djeshme kanë konfiskuar rreth 40 kilogramë marihuanë në vlerë të 200.000 eurove, shkruan TV21. Droga po transportohej nga 2 persona dhe ishte e paketuar në valixhe.
“Më datë 10.08.2023 në orën 23.30 nga punonjësit e policisë kufitare nga Qendra Rajonale “Jug”, në afërsi të vendit të quajtur “Vrshnik Bara”, pranë vijës kufitare me Republikën e Greqisë, janë vërejtur dy persona të cilët kanë hedhur dy thasë nga territori i Republikës së Maqedonisë së Veriut përmes rrethojës me tela, në territorin grek dhe më pas kanë kaluar vetë vijën kufitare. Për shkak të dyshimit se po transportohej marihuanë në thasë, Qendra Rajonale “Jug” në koordinim me Departamentin e Policisë Kriminale – Sektori për Trafikimin e Paligjshëm të Drogës, Armëve dhe Lëndëve të Rrezikshme, është njoftuar Shërbimi i Anti-drogë me qendër në Kilkis dhe Policia Kufitare greke dhe si rezultat nga veprimet e përbashkëta dhe të koordinuara të punonjësve të policisë nga të dy vendet, në një kohë të shkurtër u gjetën dy thasët me rreth 40 kilogramë marihuanë”, njoftojnë nga MPB.