Maqedoni

Kryetari i komunës së Likovës, Erkan Arifi priti në takim kryetarin e Rrjetit të Biznesit në Austrinë e Epërme, Ardit Zendeli (FOTO)

Reshat Ibraimi

9 gusht 2023 – Kryetari i komunës së Likovës, Erkan Arifi, gjatë ditës së sotme ka pritur në takim Ardit Zendelin, kryetarin e Rrjetit të Biznesit në Austrinë e Epërme, shkruan Open-TV.

Ardit Zendeli jeton dhe vepron në Wels të Austrisë, por me origjinë është nga fshati Hotël i komunës së Likovës.

Kreu i komunës, Arifi e njoftoi mysafirin e tij për situatën momentale në të cilën gjendet komuna e Likovës. Ai i tha se infrastruktura në komunën e Likovës është në gjendje optimale, ndërsa deri në fund të vitit do të përfundojë edhe rrjeti i ujësjellësit në të gjitha vendbanimet.

Më tutje kryetari z. Arifi e njoftoi z. Zendelin se komunës së Likovës i duhet zhvillimi ekonomik, andaj mirëpret të gjithë ata investitorë që duan të investojnë në komunën e tij dhe të realizojnë projekte të ndryshme që janë në të mirë të qytetarëve.

Komuna e Likovës ka vende të bollshme për investime nga biznismenë nga jashtë, si për ndërtimin e ndonjë fabrike, poashtu edhe për zhvillimin e turizmit, vetëm se nevojiten investitorë, i tha Arifi mysafirit të tij Zendeli. Arifi i garantoi se për çdo investim të huaj, komuna i qëndron në disponim të plotë.

Nga ana tjetër, Ardit Zendeli, kryetari i Rrjetit të biznesit në Austrinë e Epërme u zotua se sapo të kthehet në Austri do të organizojë një mbledhje me kryesinë e Rrjetit të biznesit, ku do t’i njoftojë ata për takimin në fjalë dhe interesimin e dëshirën e madhe të kryetarit Arifi për sjelljen e investimeve në komunën e tij. Zendeli i tha kryetarit Arifi se ai ka një plan biznesi se si do të mund ta bënte realitet.

Zendeli tha se çdo herë ka qenë i interesuar për vendlindjen e tij dhe për të mirën e saj.
Në fund të dy kryetarët u ndanë nga takimi i sotëm. (Open-TV)