Dëmtohet pllaka përkujtimore e dëshmorit Ismet Bajrami në Malësinë e Karadakut, reagon Rafiz Aliti (Foto)
Mbrëmë është vandalizuar nga persona të panjohur pllaka përkujtimore e dëshmorit të UÇK-së, Ismet Bajrami, e cila është ngritur në vendin e rënies së tij te lokaliteti Ramë në Brezë të Malësisë së Karadakut.
Lidhur me këtë, kanë reaguar familjarët por edhe ish ushtaraku i lartë i UÇK-së, Rafiz Aliti i njohur si Komandant Mësuesi.
“Dënoj këtë akt vandal që përsëritet disa herë. Familjarët dyshojnë se kjo bëhet nga rojet kufitare, sepse nuk ka kush e bën tjetër. Për fat të keq, siç më njoftuan familjarët, ky akt vandal përsëritet çdo herë kur afrohen datat si pervjetori i Karpallakut”, deklaroi Aliti për portalin Lideri.mk.
Ai apelon që sa më shpejtë të zbulohen autorët, që të mos krijohen dyshime të panevojshme.
“Kjo pllakë e ngritur nga SHVL UÇK është dëmtuar disa herë deri më tani duke u gjuajtur me breshëri plumbash, duke u thyer e duke shkruar grafite ofenduese në të. Institucionet duhet të reagojnë sepse ne po ndërtojmë bashkëjetesë. Bashkëjetesa nuk ndërtohet në këtë mënyrë”, thekson Aliti.
Edhe familjarët e dëshmorit Ismet Bajrami kerkojnë nga institucionet që të reagojnë, duke paralajmëruar se nuk do tolerojnë më tepër një vandalizim të tillë të monumentit të familjarit të tyre.