Hiqen pengesat, komunikacioni te tuneli i rrugës Shkup-Bllacë përkohësisht do të zhvillohet në dy korsi
Në tunelin e rrugës Shkup-Bllacë tërësisht janë larguar pengesat dhe komunikacioni po zhvillohet në dy korsi.
Zv. kryeministri Artan Grubi thotë se qarkullimi në dy korsi do të bëhet deri në fund të muajit gusht, gjegjësisht, nga shtatori punimet do të vazhdojnë sërish.
“Ashtu siç ju informuam para ca ditësh, me kërkesën tonë dhe në bashkëpunim me ndërmarrjen e rrugëve dhe policinë si dhe realizuesin dhe mbikqyrësin e punimeve në rrugën Shkup – Bllacë, pengesat në tunel u hoqën përkohësisht, deri në fund të muajit gusht, për të përballur fluksin e madh të trafikut në këtë rrugë e cila po rikonstruohet tërësisht.
Por, nga shtatori, punimet do të vazhdojnë sepse tuneli duhet rikonstruktuar për arsye se paraprakisht, të gjitha kanalet ujore ishin betonizuar dhe ky tunel dhe kjo rrugë me dekada të tëra nuk është ribërë në tërësi.
Për fat të keq, vonesat më të mëdha shkaktohen për arsye të mosrespektimit të sinjalistikës rrugore në tunel nga individë të papërgjegjshëm dhe këtë e kam vënë re disa herë edhe vet”.