Maqedoni

Pas Paunovskit dhe Andreeva i refuzon Grubit administratorët

Agjencia për Planifikim Hapësinorë e cila funksionon me buxhet të siguruar nga Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinorë me të cilën udhëheq kuadër i BDI-së, Naser Nuredini nuk ka pranuar dy administratorë të përcaktuar nga Ministria e Sistemit Politik, njofton News33.

Jo zyrtarisht mësohet se arsyeja për mos pranimin e tyre ka qenë kualifikimi jo adekuat arsimor. Ky informacion nuk është komentuar as nga Ministria e Ekologjisë dhe as nga Agjencia për Planifikim Hapësinorë me të cilën udhëheq drejtoresha Andrijana Andreeva.

Në këtë agjenci nuk respektohet as Ligji për përdorimin e gjuhëve. Ueb faqja e këtij institucioni është vetëm në gjuhën maqedonase, ndërsa për të mos mjaftuar me kaq, lista e të punësuarve në këtë agjenci e cila është publike dëshmon se nga 31 të punësuar profesional, nuk ka asnjë shqiptar.

Kujtojmë që së fundi ish drejtori i Inspektoratit Shtetëror të Punës, Stojko Paunovski u shkarkua me vendim të Qeverisë për shkak të mos respektimit të ligjit për sistematizimin e administratorëve. Paunovski kishte refuzuar punësimin e disa inspektorëve të sistemuar nga zëvendëskryeministri Artan Grubi me arsyetimin se profili i tyre arsimor nuk përshtatet me kriteret e ISHP-së./News33/