Maqedoni

Ramiz Merko ka emëruar drejtor shkolle me arsim të mesëm

Vazhdon shpalosja e veprave të kundër ligjshme të kryetarit të Komunës së Strugës, Ramiz Merko. Komisioni Shtetëror për Parandalim të Korrupsionit, do t’i dorëzojë Prokurorisë Publike të Strugës iniciativë për ndjekje penale të kryetarit të Merkos, për keqpërdorim të detyrës zyrtare. Antikorrupsioni dyshon se, Merko ka emëruar dy herë në mënyrë të paligjshme një ushtruese të detyrës drejtoreshë në shkollën fillore në Strugë, e cila nuk ka pasur arsim të lartë dhe nuk ka pasur përvojë pune. Përpos Merkos, Antikorrupsioni propozon që të ndiqen penalisht edhe drejtoresha e emëruar dhe të punësuar të tjerë, të cilët i kanë ndihmuar të falsifikojnë dokumentet e nevojshme për këtë.

“Kryetari i Komunës së Strugës, në kundërshtim me ligjin, ka emëruar dy herë për u.d. drejtoreshë mësimdhënësen e gjuhës angleze edhe pse ajo nuk i ka përmbushur kushtet për këtë. Po ashtu, ai nuk e ka obliguar bordin e shkollës që të miratojnë vendim për shpalljen e thirrjes publike për zgjedhje të drejtorit të shkollës” – tha Shemsi Sallai, Antikorrupsioni.

Gjithashtu, sipas Antikorrupsinit, u.d drejtoreshë ka ligjëruar lëndë për të cilat nuk ka qenë profesioniste dhe për të cilat nevojitet arsim i lartë, ka pasur përvojën e pamjaftueshme për t’u emëruar drejtoreshë dhe në atë kohë, nuk ka pasur vërtetim për provim të dhënë për drejtor.

“Gjithë këtë, e ka bërë me dokumente të falsifikuara zyrtare. Njëkohësisht, drejtoresha vet me aneks marrëveshje ka rritur fondin e orëve, që është në kundërshtim me ligjin. Në atë i kanë ndihmuar ish drejtorë. Me atë, kanë keqpërdorur detyrën zyrtare dhe kanë falsifikuar dokumente zyrtare” – tha Shemsi Sallai, Antikorrupsioni.

Kujtojmë se, në muajin qershor, Departamenti Amerikan i Shtetit e shpalli Merkon person të padëshiruar për shkak të përfshirjes së tij në korrupsion dhe ndërhyrjes në punën e gjyqësorit. Atij dhe familjes së tij, iu ndalua hyrja në SHBA. /KlanMacedonia/