Ish ushtari i UÇK-së arrestohet në Shqipëri me kërkesë të Speciales
Dhomat e Specializuara me seli në Hagë njoftuan se në Tiranë të Shqipërisë është arrestuar ish-anëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Dritan Goxhaj.
Sipas njoftimit, Goxhaj u arrestua në bazë të një fletarrestimi për veprat penale kundër administrimit të drejtësisë, që përfshijnë frikësimin dhe pengimin e personave zyrtarë në kryerjen e detyrave.
Dhomat e Specializuara, që njihen edhe si Gjykata Speciale, thanë se arrestimi u krye në bashkëpunim me autoritetet shqiptare. Ai do të mbahet i paraburgosur në Shqipëri në pritje të vendimit të autoriteteve shqiptare për transferimin e tij në qendrën e paraburgimit të Speciales në Hagë.
Kjo është hera e parë që Gjykata Speciale kryen arrestim në territorin e Shqipërisë.
Ndërkaq, sipas njoftimit të Prokurorisë së Tiranës, Goxhaj u arrestua në bazë të letërporosisë për dhënien e ndihmës juridike të Zyrës së Prokurorit të Specializuar.
Sipas burimeve, Goxhaj është arrestuar nën dyshimet se ka nxjerrë emrat e dëshmitarëve në disa çështje penale që janë ngritur pas luftës në Kosovë.
Prokuroria në Tiranë tha se Goxhajt i ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” me qëllim të ekstradimit të tij.
“Në vijim do të realizohet procedurat për ekstradimin e këtij shtetasi për në Republikën e Kosovës.”-thuhet në njoftimin e Prokurorisë së Tiranës.
Ky institucion po ashtu njoftoi se në kërkesën e Gjykatës Speciale është autorizuar kontrolli i banesës së Goxhajt dhe sekuestrimi i materialeve gjatë kontrollit.
Goxhaj ka qenë shoqërues i trupave amerikane gjatë luftës në Kosovë më 1998-99. Ai i ishte bashkuar UÇK-së si oficer i Ushtrisë shqiptare dhe ka pasur autorizimin e Shtabit të Përgjithshëm që të mbante kontante me komandën e forcave amerikane në Shqipëri.
Ai është djali i ushtarakut Dilaver Goxhaj, i cili iu bashkua vullnetarisht UÇK-së, pas kërkesës së Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, kur iu besua detyra e zëvendësshefit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së dhe, me angazhimin e NATO-s në luftë, iu besua detyra e oficerit të bashkëveprimit me NATO-n.
Më 2015, Kuvendi i Kosovës ka miratuar Ligjin për Gjykatën Speciale, e cila funksionon me ligje të Kosovës, por në territorin e Holandës. Në këtë institucion punojnë prokurorë dhe gjykatës të huaj.
Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.
Aktualisht, pranë Dhomave të Specializuara janë duke u zhvilluar disa raste gjyqësore, përfshirë edhe rasti ndaj ish-krerëve të UÇK-së – Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi – që akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit./REL