Maqedoni

Ministri Fatmir Mexhiti sjell një lajm të mirë: Rriten rrogat për mjekët dhe punëtorët shëndetësorë

Shkup, 24 korrik – Rritja e pagave për të punësuarit në sektorin publik, e cila do të fillojë nga shtatori i këtij viti, ishte tema e takimit të sotëm të punës së ministrit të Shëndetësisë, Fatmir Mexhiti, kryetari i Sindikatës së pavarur për shëndetësi, farmaci dhe mbrojtje sociale Lubisha Karanfilovski, kryetari i Sindikatës së Klinikave Predrag Serafimovski dhe përfaqësuesit e Fondi për Sigurim Shëndetësor të RMV-së.
Në takim është diskutuar për mënyrën e realizimit të rritjes së pagave dhe për llogaritjet që duhet të përgatiten para se të zbatohet e njëjta.
“Pagat më të larta që punëtorët shëndetësorë do t’i marrin së shpejti kanë një rëndësi të madhe kur bëhet fjalë për ofrimin e shërbimeve shëndetësore. Ne përpiqemi që të kemi punëtorë shëndetësorë të motivuar të cilët do të punojnë me përkushtim dhe do të ofrojnë kujdes shëndetësor cilësor për pacientët”, tha Mexhiti.
Gjatë takimit, Mexhiti theksoi se rritja e pagave tregon se puna e punëtorëve shëndetësorë vlerësohet dhe çmohet dhe se e njëjta do të ndikojë në tërheqjen e profesionistëve në sistemin shëndetësor të Maqedonisë së Veriut, që është me rëndësi të madhe për mbarë vendin.
Rritja e pagave do të zbatohet në kuadër të Marrëveshjes së re të Përgjithshme Kolektive për të punësuarit në sektorin publik, e cila së fundmi është lidhur ndërmjet Qeverisë dhe Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë. Me atë marrëvesgje gjithashtu parashihet pagesa prej 10.000 denarë si kompensim për pushimin vjetor për vitin 2023, i cili do të paguhet deri në fund të vitit, si dhe Metodologjia e re për llogaritjen e pagave që do të hyjë në fuqi nga marsi i vitit 2025.