Maqedoni

Lëvizja e Re e Mexhitit, Besa dhe Alternativa drejtë formimit të “frontit opozitar”

Pas njoftimit të Izet Mexhitit se me formimin e Lëvizjes së Re do të punojnë në formimin e frontit opozitar shqiptar, kanë filluar edhe aktivitetet fillestare për bashkëpunim me Lëvizjen BESA dhe Alternativën. Deputeti i Fadil Zendeli thotë se ka shumë hapësirë për krijimin e frontit opozitar shqiptar, i cili di ti bënte ballë të gjitha skandaleve si dhe dyshimeve aktuale për punë joligjore të pushtetit.

“Ka një hapësirë jashtëzakonisht të mirë, ka një klimë politike jashtëzakonisht të mirë që ky grupim opozitar ta kontestojë politikën e Qeverisë, të krijojë politika të reja. Me një fjalë të hapë shpresa të reja për shqiptarët sepse në fund të fundit ndryshimi në skenën politike shqiptare ndryshimi është i pakontestueshëm dhe shumë shpejtë do të vjen”, deklaroi Fadil Zendeli, Lëvizja BESA.

Deputeti i Alternativës, Hysni Ismaili thekson se ka pasur takim fillestar mes kryetarëve të partive opozitare dhe Izet Mexhitit dhe shton se për momentin po bëhet konsolidimi i parimeve dhe rrugëtimit që do të ndjekin së bashku.

“Dalë ngadalë mendoj se do të formohet edhe mendimi i përbashkët për veprimin si opozitar si për grupin parlamentar dhe çështjet e tjera… Mendoj se pas kësaj do të rrjedhin edhe takime të tjera dhe aty me siguri që një ndër çështjet e para që do të diskutohet do jetë edhe kjo pikë e rendit të ditës dhe besoj se do të kemi një pasqyrim më të qartë rreth kësaj”, tha Hysni Ismaili, Alternativa.

Ditë më parë, ish-nënkryetari i BDI-së Izet Mexhiti njoftoi se janë shterur të gjitha mundësitë që të kthehet në partinë e Ali Ahmetit për shkak se, siç theksoi ai, atje nuk dëgjohet mendimi ndryshe. Mexhiti tha se më 13 gusht zyrtarisht do të promovojnë formimin e Lëvizjes së Re Demokratike e cila do të bashkëpunojë me BESËN dhe Alternativën si front opozitar. /Alsat.mk