Maqedoni

Alternativa për pakënaqësitë brenda partisë: Janë për shkak takimit Gashi-Bilalli-Kasami, ‘Soravija’ po tenton të sabotojë bashkëpunimin opozitar

Në media dje u spekulua se ka patur një takim ndërmjet kryetarit të Alternativës, Afrim Gashi, atij të Besës, Bilall Kasami dhe Izet Mexhitit, i cili pikërisht dje njoftoi për nisën e tij për formimin e lëvizjes së re. Këtë takim e kanë konfirmuar nga Alternativa, të cilët, në komunikatën e tyre drejtuar një grupi të pakënaqurve brenda partisë, kanë thënë se këto pakënaqësi po shfaqen edhe për shkak këtij takimi.
“Fakti se opozita po bashkohet dhe se kjo e rrezikon BDI-në në zgjedhjet e ardhshme, e detyron partinë SORAVIA që të marrë masa, duke i përdorur të gjithë mjetet e veglat për ta sabotuar këtë ngjeshje opozitare. Një lojë e vjetër kjo e kësaj partie me matricë enveriste.
Sidoqoftë, dielli nuk zihet me shoshë. Në zgjedhjet e ardhshme partia SORAVIA me krejt eksponentët e saj NON GRATA do të shkojë në historinë e turpit, ndërsa milionat që i kanë vjedhur do të duhet t’i vjellin, sepse ky popull i varfër, që po shpërngulet me përmasa eksodi, nuk e meriton një qeverisje kaq të korruptuar, grykëse e të pangopur”, qëndron në reagimin e Alternativës.
Sipas gjitha gjasave në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, Besa, Alternativa dhe Lëvizja e Izet Mexhitit do të garojnë së bashku, ndërsa shpresojnë që atyre tu bashkëngjiten edhe shumë individë dhe votues të Aleancës për Shqiptarët.